Ushtria izraelite bastis spitalin kryesor të Gazës

Palestinezë të plagosur si pasojë e sulmeve izraelite, duke marrë trajtim në spitalin Shifa.

Forcat izraelite e kanë bastisur spitalin më të madh të Gazës në orët e para të së mërkurës, ku qindra pacientë, përfshirë foshnja të sapolindura, kanë mbetur me pak furnizime, përfshirë mungesën e rrymës.

Spitali Shifa është kthyer në simbol të vuajtjeve të civilëve palestinezë gjatë luftës në mes të Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Lufta është nxitur pas sulmeve të grupit ekstremist në Izrael, më 7 tetor, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke i marrë peng mbi 240 të tjerë.

Kryqi i Kuq ka ngritur alarmin për aktivitetet ushtarake izraelite në spital.

“Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për ndikimin në personat e sëmurë dhe të plagosur, stafin mjekësor dhe civilët”, ka thënë Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq përmes një deklarate për agjencinë e lajmeve AFP.

Kjo organizatë ka insistuar se “duhet marrë të gjitha masat për ta shmangur çfarëdo pasoje”.

Spitali është në zemër të narrativëve rreth asaj se kush duhet fajësuar për mijëra të vdekur dhe shkatërrim të konsiderueshëm në Gazën e rrethuar me 2.3 milionë palestinezë.

Izraeli e akuzon Hamasin se i ka përdorur palestinezët si mburoja njerëzore, derisa palestinezët dhe grupet për të drejta të njeriut kanë thënë se Izraeli i ka rrezikuar civilët, në tentimin për ta shkatërruar Hamasin.

SHIKONI EDHE: A po fshihet Hamasi në spitalin kryesor të Gazës?

Mohammed Zaqout, drejtor i spitaleve në Gazë, ka thënë se tanket izraelite kanë hyrë në zonën e spitalit Shifa dhe se ushtarët kanë hyrë në ndërtesë, përfshirë emergjencën dhe departamentet e operimit, ku gjenden dhomat për kujdes intensiv.

“Forcat pushtuese kanë hyrë në ndërtesa”, ka thënë ai i zemëruar, përmes telefonit.

Zaqout ka thënë se pacientët, përfshirë fëmijët, janë të tmerruar.

“Ata po bërtasin. Është situatë tmerruese… nuk mund të bëjmë asgjë për pacientët, përveçse të lutemi”.

Një nënë e mërzitur në Spitalin Shifa, pas vdekjes së të birit.

Ushtria izraelite ka thënë se po kryen “operacion të saktë dhe të shënjestruar kundër Hamasit në disa zona të specifikuara në Spitalin Shifa”.

Ushtria ka thënë se i ka paralajmëruar “autoritetet relevante në Gazë” që të gjitha aktivitetet ushtarake brenda spitalit duhet të ndalen.

“Fatkeqësisht, ajo nuk ka ndodhur”.

Izraeli ka thënë se Hamasi e ka një qendër masive komanduese brenda dhe rreth Spitalit Shifa, mirëpo nuk ka ofruar të dhëna për këtë pretendim, derisa Hamasi dhe stafi i spitalit i kanë hedhur poshtë këto deklarata.

SHIKONI EDHE: BE-ja e dënon Hamasin për përdorimin e spitaleve dhe civilëve si “mburoja njerëzore”

Disa orë para bastisjeve, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se kanë inteligjencë që sugjeron se Hamasi e ka përdorur Spitalin Shifa dhe spitale tjera, si dhe tunelet poshtë tyre, për t’i mbështetur operacionet ushtarake dhe për t’i mbajtur pengjet.

Ushtria ka thënë se forcat e saj, që janë duke e bastisur Shifan, kanë ekipe mjekësore dhe janë duke kërkuar për pengje, në kuadër të operacionit.

Pjesa më e madhe e qindra mijëra njerëzve që jeton në qytetin e Gazës dhe në zonat përreth, kanë ikur prej pjesës veriore të enklavës, pas disa javë bombardimesh izraelite.

Shumë pak ndihmë ka depërtuar në zonat veriore, të cilat kanë mbetur pa energji dhe ujë të pijshëm qe disa javë.

Më shumë se 11.200 njerëz, dy të tretat gra dhe fëmijë, janë vrarë në Gazë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, dhe dy të tretat e 2.3 milionë banorëve kanë ikur prej shtëpive të tyre.

Rreth 2.700 persona janë raportuar të zhdukur.

Pothuajse gjithë popullsia e Gazës është tkurrur në jug, ku kushtet e jetesës janë duke u përkeqësuar çdo ditë e më shumë, me vazhdimin e bombardimeve.

SHIKONI EDHE: Grushte për bukë, sëmundje e dëshpërim: Lufta rrezikon ta përçajë shoqërinë në Gazë

Izraeli ka deklaruar se në kuadër të sulmeve në Gazë ka vrarë disa luftëtarë, përfshirë disa komandantë të rëndësishëm të Hamasit.

Ky shtet ka thënë se në ofensivë e sipër në Gazë i janë vrarë 46 ushtarë.

Përgatiti: Krenare Cubolli