Armata maqedonase, e gatshme t’iu përgjigjet obligimeve të NATO-s

Një pjesëtar i Armatës maqedonase. Fotografi nga arkivi.

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut thonë se Armata maqedonase është e gatshme që t’iu përgjigjet të gjitha kërkesave të Aleancës Veri-atlantike, tashmë pasi është pjesë e saj. Megjithatë, zyrtarët nuk kanë bërë të ditur ende nëse ka vendim për dërgimin e ushtarëve nga Maqedonia e Veriut jashtë vendit, pasi NATO ka bërë të ditur se synon të forcojë krahun lindor.

Shefi i Shtatmadhorisë së Armatës së Maqedonisë së Veriut, gjeneral nënkoloneli, Vasko Gjurqinovski, thotë për Radion Evropa e Lirë se pjesëtarët e Armatës janë të përgatitur në nivelin më të lartë, duke shtuar se megjithatë ka nevojë për modernizimin dhe sigurimin e pajisjeve ushtarake, të cilat shpreson se do të realizohen në vazhdimësi gjatë periudhës së ardhshme.

“Gjithsesi kemi nevojë për angazhim plotësues për përmirësimin e logjistikës në aspektin e pajisjeve, mbrojtjes, lëvizshmërisë së njësive komanduese, gjë që modernizimi mbetet edhe fokusi i Shtatmadhorisë, ministrisë dhe autoriteteve, plan ky që realizohet në vazhdimësi”, thotë Gjurqinovski.

SHIKONI EDHE: NATO forcon krahun lindor pas nisjes së luftës në Ukrainë

Maqedonia e Veriut tash e një vit është bërë anëtare e NATO-s dhe si e tillë, sipas autoriteteve, shteti ka ofruar ndihmë adekuate për popullin e Ukrainës, shtet në të cilin, Rusia ka nisur një luftë të paprovokuar më 24 shkurt.

“Ndihma për Ukrainën është dërguar në disa faza. Kuptohet se për shkak të konfidencialitetit këtë nuk e kumtojmë, por kemi kumtuar dy vendime që kanë të bëjnë me donacionet”, ka thënë ministrja e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petroska.

SHIKONI EDHE: Kovaçevski: Lufta në Ukrainë, pasoja për sigurinë dhe ekonominë

Ndërkaq, kreu i Këshillit të NATO-s në Maqedoninë e Veriut, Ismet Ramadani, thotë se lufta në Ukrainë paraqet edhe një dëshmi për rëndësinë e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në këtë aleancë ushtarake, jo vetëm sa i përket aspektit të sigurisë, por veçanërisht në kapërcimin e sfidave ekonomike dhe krizës me energjinë.

“Maqedonia e Veriut, si anëtare e NATO-s do të ketë përfitimet e saj pasi gjatë çdo krize energjetike apo ekonomike do t’i ketë aleatët e saj, të cilat përmes alternativave të ndryshme do ta ndihmojnë që të tejkalojë krizat, përfshirë edhe këtë aktuale, dhe kjo paraqet një përparësi të madhe për një shtet të vogël siç është Maqedonia e Veriut”, vlerëson Ramadani.

Programi i standardizimit i NATO-s kërkon që të gjitha vendet aleate që veprojnë në kuadër të kësaj aleance, të kenë përputhshmëri sa i përket taktikave luftarake, komunikimit dhe mbështetjes logjistike. Për këtë arsye, më 11 prill, në poligonin ushtarak në Krivollak, janë kryer stërvitjet ushtarake “Shkëlqimi 22”, ku Batalioni i këmbësorisë së lehtë së Armatës maqedonase ka kaluar me sukses të gjitha vlerësimet.

Koncepti i këtij batalioni është realizuar në përputhje me konceptin për afësi operative të NATO-s, me përkrahjen e shteteve të tjera dhe një ekipi monitorues të NATO-s.

Koloneli Tino Kolman nga Armata gjermane, i cili është pjesë e Komandës së NATO-s në Turqi, ishte i angazhuar në mbikëqyrjen dhe vlerësimin e pjesëtarëve të Armatës maqedonase. Ai tha për Radion Evropa e Lirë se është i kënaqur me arritjet e ushtrisë maqedonase gjatë kësaj periudhe të shkurtër kohore që prej se është anëtarësuar në aleancë.

“Si anëtare e re e NATO-s, Maqedonia e Veriut ka më shumë se 50 për qind të vlerësuesve të kualifikuar, pra të certifikuar. Kjo paraqet një arritje të shkëlqyeshme”, tha ai.

Në bazë të procedurave të NATO-s për anëtarët e rinj, sa i përket harmonizimit me politikat e aleancës, është përpiluar edhe plani për vlerësimin e gatishmërisë luftarake të njësive ku tash edhe Maqedonia e Veriut bën pjesë se anëtare e plotfuqishme e kësaj aleance.