Komandanti Suprem i NATO-s për Evropë, gjenerali Curtis Scaparrotti ka thënë të premten në Prishtinë se Ushtria e Kosovës mund të themelohet vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese.
Në përmbyllje të vizitës së tij në Kosovë, gjenerali Scaparrotti ka thënë se siguria në rajonin e Ballkanit mbetet shumë e rëndësishme për gjithë Evropën.
Ai i ka inkurajuar institucionet e Kosovës të shtojnë përpjekjet në fushën e sundimit trendit dhe ligjit.
Scaparrotti ka thënë se NATO do të vazhdojë të jetë e pranishme në Kosovë, për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Ndërkaq ,duke folur për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, si një nga synimet e proklamuara të presidentit Hashim Thaçi, gjenerali Scaparrotti tha se kjo çështje u takon institucioneve të Kosovës, por vendimi duhet të merret përmes ndryshimeve kushtetuese duke bashkëpunuar me komunitetet pakicë.
Gjatë vizitës në Kosovë, ai fillimisht është pritur nga Presidenti Hashim Thaçi dhe më pas ka takuar dhe ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demollin.
Presidenti Thaçi, sipas një komunikate për media, ka theksuar se roli i NATO-s në Kosovë ka qenë përcaktues jo vetëm në ruajtjen e stabilitetit dhe rritjen e sigurisë, por edhe në bashkëpunimin ndërmjet të gjitha komuniteteve.
“Roli juaj në Kosovë, si dhe në rajon është i pazëvendësueshëm. Do të jemi gjithmonë mirënjohës për këtë mbështetje”, ka theksuar Presidenti.
Sipas tij, Kosova ka përfunduar me sukses procesin e zgjedhjeve, të cilat kanë qenë të lira, fer dhe demokratike.
“Tani jemi në proces të krijimit të institucioneve të Kosovës, të cilat do të jenë multietnike dhe me orientim të qartë euroatlantik”, ka thënë presidenti Thaçi.
Duke folur për bashkëpunimin me shtetet e rajonit, presidenti Thaçi ka përshëndetur anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, duke shpresuar që rrugën e njëjtë do ta ndjekin edhe shtetet tjera, duke kontribuar kështu për paqen afatgjatë në rajon.
Presidenti ka theksuar se Kosova është duke punuar që të përmbyll procesin e transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës.
“Kjo do të ndodh në koordinim të plotë me ju dhe me përfshirjen e të gjitha institucioneve dhe komuniteteve në Kosovë”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se Kosova po ashtu do të vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe do të punojë për bashkëpunimin rajonal dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore.
Gjenerali Scaparrotti, i cili njëherësh është dhe Komandanti i Komandës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë, gjatë këtyre takimeve në Prishtinë ai është shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, Giovanni Fungo.
NATO, që nga qershori i vitit 1999, ka forcën paqeruajtëse në Kosovë, KFOR-in, e cila atë kohë përbëhej nga rreth 50 mijë trupa, kurse aktualisht numëron disa mijëra ushtarë.