Ukrainasit e verbuar në luftë nisin jetë të re pas konfliktit

Fotografi ilustruese. Ushtarë ukrainas pranë Bahmutit në Ukrainë, 20 gusht 2023.

AP

Përgjatë një rruge plot zhurmë, në një qytet në perëndim të Ukrainës, Denys Abdulin bën hapat e tij të parë të pavarur prej kur u plagos rëndë dhe u verbua, ndërsa luftonte trupat pushtuese ruse më shumë se një vit më parë.

Ish-ushtari 34-vjeçar, me syze të zeza dhe me një shkop të bardhë në duar, shkon në një pjesë më të ngarkuar me njerëz të trotuarit. Lëvizjet e tij bëhen të tensionuara.

Ai ndalon aksidentalisht një grua që po ecte drejt një bankomati për të tërhequr para.

Si shumë këmbësorë të tjerë, edhe ajo i përgjigjet me një buzëqeshje dhe lëviz mënjanë. Gradualisht, Abdulin ec rreth 600 metra, i udhëhequr nga një udhëzues që ecën përpara tij me një byzylyk me zile të vogla metalike.

Pesë veteranë të tjerë ushtarakë ukrainas kaluan sfida të ngjashme ndërsa ndiqnin një kamp rehabilitimi për ish-ushtarët që humbën shikimin gjatë luftës. Për disa javë, burrat mësuan ta gjenin drejtimin në qytetin Rivne, t’i përgatisnin vetë ushqimet e tyre, dhe ta përdornin transportin publik ndërsa udhëtonin vetëm.

Detyrat e përditshme, që më parë i kryenin pa i menduar, tani u kërkojnë fokus, forcë dhe përkushtim.

“Të gjithë e paguajnë çmimin e tyre për liri në Ukrainë”, tha Abdulin, i cili kaloi disa muaj i mbyllur në një shtrat spitali dhe rrallë i heq syzet e errëta nga sytë.

Lufta e nisur nga Rusia në Ukrainë, më 24 shkurt të vitit 2022, ka vrarë dhjetëra mijëra luftëtarë nga të dyja palët. Shumë të tjerë, si personeli ushtarak ukrainas ashtu edhe civilët që morën armët për ta mbrojtur vendin e tyre, janë gjymtuar ose kanë pësuar lëndime të tjera, që kanë ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme jetën e tyre.

*Video nga arkivi: Mjekja që ua kthen dëgjimin ushtarëve ukrainas

Your browser doesn’t support HTML5

Kirurgia që ua rikthen dëgjimin ushtarëve ukrainas

Aktualisht nuk ka statistika se sa pjesëtarë të shërbimit kanë humbur shikimin për shkak të plagëve të rënda të marra në luftë, sipas Olesia Perepechenkos, drejtoreshës ekzekutive të Modern Sight, organizatës joqeveritare që organizon kampin.

Por, kërkesat për pjesëmarrje në këtë kamp, të quajtur “Jeta Pas Luftës”, po rritet.

Gjatë disa javëve, veteranët, të shoqëruar nga familjet e tyre, banojnë në një qendër rehabilitimi jashtë qytetit Rivne. Shumica marrin shkopin e parë të bardhë aty, bëjnë shëtitjet e tyre të para nëpër mjedise urbane dhe natyrore, pa ndihmën e askujt, dhe mësojnë të përdorin programe të bazuara në zë për përdorimin e celularëve dhe kompjuterëve.

“Qëllimi ynë nuk është t'i rikualifikojmë, nuk është t'i ndryshojmë, por thjesht t'iu japim një shans për t'u bërë të pavarur dhe për t'u mbështetur te vetja”, tha Perepechenko, e cila është edhe vetë e verbër.

Abdulin iu bashkua vullnetarisht ushtrisë kur Rusia e pushtoi Ukrainën gati 18 muaj më parë. Përfundimi i ecjes prej 600 metrash e shënoi një fazë të re në procesin rikuperues të tij, pas plagëve që mori kur një minë shpërtheu disa metra larg tij në Severodonjeck, një qytet në Ukrainën lindore të pushtuar tani nga rusët.

“Më dukej se një flakë shpërtheu nga sytë e mi”, tha ai për atë ditë në maj të vitit 2022. “Menjëherë e kuptova se kisha humbur shikimin”.

“Sigurisht, prisja gjithçka, por të bëhesha i verbër, as që mund ta imagjinoja”, vazhdoi Abdulin. “Mendova se mund ta humbisja një krah ose një këmbë dhe nuk doja të vdisja fare. As që e kisha menduar kurrë se do të mbetesha i verbër. Prandaj, në fillim, ishte shumë e vështirë”.

Në vitin 2014, kur Rusia aneksoi në mënyrë të paligjshme Krimenë dhe shpërtheu konflikti i armatosur në rajonin e Donbasit të Ukrainës, Perepechenko donte të ishte në vijën e parë të frontit duke ndihmuar në ndonjë mënyrë. Kërkesa e saj për t'u bashkuar me ushtrinë u refuzua, kështu që ajo vendosi ta përqafonte një mision të ri: t’i ndihmonte ushtarët që humbnin shikimin në rimarrjen e ndjenjës së autonomisë.

Modern Sight, që aktualisht merr fonde nga Fondacioni i Bamirësisë Oleksandr Tereshchenko, mbajti kampin e parë rehabilitues në vitin 2019 dhe ka organizuar rreth dhjetë të tjerë që prej atëherë. Megjithatë, vetëm dy kampe janë zhvilluar gjatë luftës. Megjithëse ka një listë pritjeje prej 30 personash për seancën e ardhshme, pengesa kryesore e organizatës jofitimprurëse është të sigurojë financim të vazhdueshëm: çdo kamp kushton rreth 15.000 euro për t'u organizuar.

Your browser doesn’t support HTML5

Mjeku ukrainas kujton robërinë "brutale" ruse

Abdulin kaloi gati një vit duke u trajtuar për plagët e tij, të cilat përfshinin një nofull, të thyer shkaku i shpërthimi që ia vodhi edhe shikimin dhe e la me probleme të frymëmarrjes dhe ekuilibrit. Gruaja e tij, Olesia Abdulina, u kthye me dy fëmijët e tyre nga Lituania, ku të tre kërkuan strehim pas shpërthimit të luftës.

“Sytë e tij ishin ende aq të fryrë, me fasha mbi ta, të mbuluar me pambuk”, tha Abdulina duke parë të shoqin në spital, për herë të parë pas disa muajve larg njëri-tjetrit.

“Gjëja kryesore është që ti je gjallë”, i ishte përgjigjur kur ai i tha se nuk do ta shihte më.

Gjatë muajve vijues, ajo e ushqente atë me një lugë.

Në kampin Modern Sight, të dy po mësonin se si ta integronin dëmtimin e tij në jetën e tyre familjare.

Ndërsa Denys ndiqte orët e fizioterapisë ose gatimit, Abdulina dhe gra të tjera kryejnë ushtrimet e tyre. Një qëllim i kampit është t'iu kujtojë bashkëshortëve se ata nuk janë “dado”, por partnere të jetës për burrat e tyre, tha Perepechenko.

Gjatë një seance të tillë, Abdulinës ia lidhën sytë dhe ia dhanë një shkop të bardhë.

Ajo analizoi fillimisht dyshemenë ndërsa një pjesëmarrëse tjetër ia mbante dorën. Qëllimi i ushtrimit është t’i ndihmojë gratë të kuptojnë më mirë se çfarë përjetojnë dhe për çfarë kanë nevojë partnerët e tyre.

“Ne mbetemi të njëjtët njerëz. Ne kemi të njëjtat aftësi”, thotë Ivan Soroka, 27 vjeç, i cili iu bashkua ushtrisë ukrainase në ditën e para kur Rusia e pushtoi Ukrainën. Ai po merrte pjesë në këtë kamp për herë të dytë.

“Ne duhet të ngrihemi, të marrim kontrollin dhe të punojmë për të përmirësuar veten tonë”, thotë ai.

Your browser doesn’t support HTML5

Pa këmbë dhe pa sy, ushtari ukrainas synon të ecë dhe të shohë prapë

Një predhë plagosi Sorokan pranë Bahmutit në gusht të vitit 2022. Forcat ruse përfunduan duke marrë qytetin në Ukrainën lindore në maj pas më shumë se tetë muajsh luftime intensive.

“Kam humbur shikimin menjëherë, i goditur nga vala e shpërthimit. Ndjeva se po vdisja”, tha Soroka. “Unë qëndrova aty për rreth dy minuta”.

Teksa kujton ato momente, ai lë të kuptohet se ka qenë e fejuara e tij, Vlada, e ulur tashmë pranë tij, ajo që e ka mbajtur të gjallë.

Çifti u takua kur Soroka po merrte pjesë në mbrojtjen e rajonit të Kievit në pranverën e vitit të kaluar. Dashuria e tyre lulëzoi me shpejtësi në sfondin e luftës. Para se Soroka të dislokohej në rajonin e Donjeckut, ai i propozoi Vladës. Ajo pranoi të martohej me të.

Por, menjëherë pas kësaj, të dy po kalonin ditë e net në spital në vend që të përgatiteshin për një martesë. Festa, që u shty për shkak të lëndimit të Sorokës, tani është planifikuar të mbahet në fillim të shtatorit. Pas disa muajsh rehabilitimi, ai ndihet i fortë fizikisht dhe psikologjikisht.

“Kam kuptuar se nëse nuk ngrihem vetë dhe nuk filloj të bëj diçka, asgjë nuk do të ndryshojë”, tha ai.

Burrat dhe partnerët e tyre kalojnë pushimet në kamp dhe mbrëmjet në mjediset e qendrës së rehabilitimit. Mbizotëron një atmosferë qetësie, e ndërprerë herë pas here nga të qeshura e shaka të përzemërta nga koha e tyre si ushtarë.

Në kohën kur ata largohen nga qendra, burrat do të dinë se kanë aftësitë për të lëvizur nëpër një qytet dhe për të fituar diçka po aq jetike: një ndjenjë komuniteti të arritur përmes përvojave të përbashkëta dhe një traume të përbashkët.

Në një mbrëmje, kur përfunduan aktivitetet e ditës, pjesëmarrësit e kampit u mblodhën në një oborr për ta festuar ditëlindjen e Oleksandr Zhylchenko. Ai humbi shikimin në fund të vitit të kaluar, megjithëse nuk dha detaje rreth rrethanave të dëmtimit të tij.

“Po ju tërheq në një rreth, në rrethin e familjes suaj. Jemi rreth 50 veta këtu”, tha Perepechenko, duke i dorëzuar Zhylchenkos një tullumbace në formë zemre në ngjyrat e flamurit kombëtar të Ukrainës. “Kjo është zemra jonë kolektive”.

Trajnerët dhe kursantët qëndruan në një rreth dhe, një nga një, shprehën urimet për ditëlindjen e Zhylchenkos: Për një të ardhme të ndritur, durim, besim, besnikëri dhe “fitore për të gjithë ne dhe për Ukrainën”.

I emocionuar, Zhylchenko e mbajti tullumbacen për një kohë të gjatë, duke menduar dëshirën e tij të ditëlindjes.

Më pas, ai e lëshoi tullumbacen, pa e parë teksa ngjitej me shpejtësi drejt qiellit.

Përgatiti: Doruntina Baftiu