Pothuajse 9.000 pjesëtarë të ushtrisë ukrainase janë vrarë gjatë luftës kundër Rusisë, tha më 22 gusht shefi i forcave të armatosura të Ukrainës.
Shifra e prezantuar nga gjenerali Valeriy Zaluzhnyi, duket se është shifra e parë e ofruar nga një zyrtar i lart ushtarak ukrainas për humbjet në luftë, qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Zaluzhnyi, komandant i forcave të armatosura ukrainase gjatë një konference për media në nderim të veteranëve dhe familjeve të ushtarëve të vrarë, tha se fëmijët duhet të mbrohen në disa pjesë të shtetit, përfshirë në kryeqytet, Kiev.
“Ata nuk e kuptojnë se çfarë po ndodh dhe duhet t’i mbrojmë... sepse baballarët e tyre kanë shkuar në fronte të luftës dhe ndoshta janë në mesin e pothuajse 9.000 heronjve që janë vrarë”, tha ai.
Your browser doesn’t support HTML5
Zaluzhnyi nuk dha detaje të tjera për shifrën e ofruar të ushtarëve të vrarë, por ai tha se aty përfshihen pjesëtarët e personelit ushtarak të vrarë në luftime, sikurse edhe rojet kufitare.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë konferencës tha se rreth 1 milion persona po mbrojnë Ukrainën si pjesë e forcave të armatosura dhe shërbimeve të tjera ukrainase.
Gjenerali Zaluzhnyi nuk tregoi se sa civilë janë vrarë apo sa ushtarë rusë, sipas Kievit, janë vrarë në luftime. Por, Shtabi i Përgjithshëm i forcave të armatosura ukrainase ka thënë se deri më tani janë vrarë 45.400 rusë. Në anën tjetër, Rusia nuk ka treguar sesa ushtarë të saj janë vrarë në fushëbetejat në Ukrainë.
Shifrat e ofruara nga Ukraina për humbjet e Rusisë nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.