Ushqimet “e frikshme” që u shërbehen të burgosurve në Rusi

Fotografi ilustruese.

Maria mendonte se dinte shumë për jetën kur, në moshën 35-vjeçare, u burgos në Moskë. Por, ajo ende nuk e kishte pasur idenë se si ishte ushqimi në burgje ruse.

“Nuk e kam ditur që njerëzit mund të ushqeheshin me gjëra të tilla”, tha Maria, e cila ishte e burgosur për 17 muaj më 2021-2022. Grupi për të drejtat e njeriut, Memorial, tha se Maria ishte burgosur nën akuza të motivuara politikisht.

Por, çdo ditë qindra mijëra të burgosur në burgjet e Rusisë dhe në qendrat e paraburgimit ushqehen me: qull të pagatuar, bukë të papjekur, mish të prishur dhe më shumë, thanë ish të burgosurit për Current Time. Në të njëjtën kohë, thanë ata, mungesa e perimeve dhe opsionet e kufizuara për përgatitjen apo qasjen në ushqim të shëndetshëm janë standarde.

Bartja e ushqimit në burgun Butyrka në Moskë.

Maria, emri i së cilës është ndryshuar për të mbrojtur identitetin e saj, tentoi të krijonte qullin që i shpërbehej në burg, pasi doli nga burgu. Por, nuk ia arriti.

Në mbarë sistemin e gjerë të burgjeve dhe qendrave të paraburgimit në Rusi, çështja nuk është vetëm te shija, por nëse ky ushqim është i ngrënshëm dhe se a mund t’i mbajë të shëndetshëm të burgosurit, sipas Rregullave të Kombeve të Bashkuara për Standard Minimal të Trajtimit të të Burgosurve. Sipas raportimit të Current Time, këto standarde shpesh nuk përmbushen.

“S’mund të mbijetosh me thërrmija buke”

Menyja në burgun në qytetin Norilsk, në ish-gulagun arktik, dukej “shumë e shijshme”, kujtoi ish i burgosuri Ivan Astashin: Me rregulla që ndalonin ushqimin e të burgosurve nga e njëjta enë për më shumë se dy apo tre herë në javë, premtonte një llojllojshmëri të ushqimeve sikurse gjella me mish dhe perime, mish të pjekur dhe gjellë me patate. Por, kur u shërbehej të burgosurve ishte një shujtë e njëjtë: patate me mish dreri, lloj mishi që përdoret shumë në atë zonë.

Qyteti Norilsk, ish-gulagu arktik në dimër.

Astashin, avokues për të drejtat e të burgosurve, qëndroi pothuajse dhjetë vjet në tri burgje ruse dhe pesë qendra të paraburgimit, nën akuzat për terrorizëm, që ai dhe mbështetësit e tij thanë se ishin të motivuara politikisht. Ai u lirua më 2020 dhe së bashku me gruan e tij u largua nga Rusia më 2022.

Megjithatë, ai nuk e ka harruar se si ishte ushqimi në burgje.

Mëngjesi ishte gjithmonë qull me grurë, tërshërë ose drithë me ujë apo qumësht, nganjëherë me aq pak kokrra sa ishte “vetëm ujë”, kujtoi Astashin.

Në drekë “më së shpeshti kishte një patate”, por nganjëherë edhe lakër dhe drithëra elbi dhe një mish i mistershëm apo diçka “që dukej si mish”. Komposto apo një lloj reçeli me fruta të tharta me drithëra ishte po ashtu në meny.

Darka po ashtu ishte edhe një patate tjetër, lakër apo drithëra elbi “së bashku me një copë peshku”.

Shërbimi Federal i Paraburgimit në Rusi (FSIN) përcakton që të burgosurit marrin 100 gramë mish, tha Astashin, por mishi i zi dhe i ngrirë i drerit në burgun në Norilsk dukej “i frikshëm”, shpesh i vinte era e keqe dhe “ishte e pamundur që të hahej”, tha ai. Të burgosurit e tjerë dhe stafi thanë se ky lloj mishi ishte mbajtur në frigoriferë “për dekada” para se të dërgohej në burg.

Astashin tha se në përgjithësi kaloritë që marrin të burgosurit brenda një dite – që zyrtarisht thuhet se duhet të marrin 2.600 deri në 3.000 kalori – “pak a shumë janë të mjaftueshme sepse të burgosurve u japin një copë të madhe buke”. Por, ai pretendoi se jo gjithmonë buka është e pjekur siç duhet.

Burgu Matrosskaya Tishina në Moskë.

Në burgun famëkeq të Moskës, Matrosskaya Tishina, ku Astashin kishte qëndruar për disa vjet, nëse shtypeshin thërrimet e bukës, ato tkurreshin dhe dukeshin “si plastelinë”, kujtoi ai.

“I prisnim koret e bukës dhe i thanim në mënyrë që mund t’i hanim dhe të mos na fryhej barku”, tha ai.

Megjithatë, ish e burgosura në Moskë, Maria, tha se “s’mund të mbijetosh me thërrime të bukës. Të hahen perime”.

Sipas rregulloreve të FSIN-it, po ashtu kërkohet që të burgosurve t’u jepen çdo ditë 500 gramë të perimeve të freskëta, të ngrira apo të konservuara, por Maria tha se ajo kishte ngrënë perime vetëm kur dikush ia kishte sjellë asaj në burg.

“Kurrë nuk e kam ditur se njeriu mund të arrijë në një gjendje të tillë, kur keni aq dëshirë të madhe për të ngrënë perime. Për Zotin, kishte ndonjë lugë të vogël me turshi një herë në javë. Nëse e kuptoni, ky ishte rast feste për ne”.

Në qershor të vitit 2024, FSIN-i i tha tabloidit moskovit Moskovsky Komsomolets se “ushqimi” për të gjithë të burgosur “përmbush të gjitha kushtet për një dietë të balancuar, në kuptim të përmbajtjes së energjisë, të racionit të proteinave, yndyrave dhe karbohidrateve”.

Një burrë bart qese me ushqim drejt hyrjes së burgut Lefortovo në Moskë.

Por, Maria deklaroi të kundërtën. “Nëse një grua nuk e ka dikë jashtë [burgut], sigurisht ajo nuk mund të mbijetojë me ushqimin e burgut”, tha ajo. “Sepse është i pangrënshëm”.

Një kovë me supë

Por, ushqimi nga jashtë jo domosdo nënkupton se është një vakt i mirë.

Ish të burgosurit thanë se burgjet dhe qendrat e paraburgimit pothuajse nuk kanë asnjë enë gatimi në dispozicion për të burgosurit që tentojnë të gatuajnë vakte ushqimore për vete. Po ashtu, atyre nuk u lejohet të kenë qasje në stufa.

Nëse një i burgosur dëshiron të gatuajë “një supë të mirë”, tha Astashin, ai duhet të blejë një kovë plastike në dyqanin e burgut dhe më pas “ta ziejë supën në kovën e plastikës” me një ngrohës të ujit.

Thika për përgatitjen e ushqimit po ashtu nuk ka, tha Astashin, duke theksuar se të burgosurit mund të bëjnë zgjidhje për këtë problem – në qendrat e paraburgimit, duke u dhënë ryshfet rojeve mund të sigurohet çfarëdo që ka nevojë një i burgosur, tha ai.

“Nëse ka punëtorë të korruptueshëm, ata mund t’iu sjellin një thikë. Nëse nuk ka, mund të mprihni një lugë alumini apo ndonjë objekt tjetër”.

Një treg i kapur

FSIN, megjithatë, e pranon që ka kërkesë për ushqime të tjera. Në Moskë dhe në periferi të saj, qendrat e paraburgimit kanë restorantin Sidim, Yedim – emri i të cilit përkthehet në shqip Ne po hamë në burg.

Por, çmimet e ushqimit të FSIN-it reflektojnë mungesën e alternativave të konsumatorëve të tyre.

Në dyqanet e burgjeve shiten biskota, bukë e thatë, “dhe nëse keni shumë fat” pak salsiçe, por çmimet e larta sinjalizojnë se të burgosurit “po paguajnë për mëkatet e tyre”, tha Maria.

Dyqanet online të burgjeve, sikurse Zona Mag e FSIN-it dhe një e-dyqan për të paraburgosurit, Peredai v Sizo, ofrojnë vakte të përgatitura, perime, fruta, mish të konservuar, ëmbëlsira të ndryshme, por çmimet janë më të larta se në dyqanet e zakonshme.

Të burgosurit përdorin llogari personale për të paguar dhe qasja në këto produkte varion. Një i burgosur në Moskë tha se në vitin 2010 blerja e një vakti të mirë ushqimor në burg ishte “shumë e vështirë”.

“Një numër i madh njerëzish nuk e kanë mundësinë për të pranuar dërgesa. Ata duhet të hanë çfarë u jepet”, tha ky person, i cili kërkoi të mbetej anonim. “Për këtë arsye, njerëzit që hanin vetëm ushqim të burgut dukeshin keq. Ky ushqim nuk tretet mirë”.

Udhëheqësi i ndjerë i opozitës, Aleksei Navalny, shfaqet në një ekran të ngritur në një sallë gjyqi të Gjykatës së Qytetit të Moskës nëpërmjet një video-lidhjeje nga burgu gjatë një seance dëgjimore më 24 maj 2022.

Vuajtja në izolim

Qasja në ushqimin e ngrënshëm vështirësohet edhe më shumë nëse një i burgosur vendoset në një qeli izoluese, sipas deklaratave të bëra nga të burgosurit politikë, përfshirë edhe nga udhëheqësi i ndjerë opozitar, Aleksei Navalny.

Një ish i burgosur që kishte qenë në izolim, i cili tani punon për grupin e të drejtave të burgosurve, Rusia prapa grilave, pretendoi se rojet vendosin ushqimin në pjata që janë përdorur nga të burgosurit që janë dhunuar apo abuzuar. Duke ngrënë nga këto pjata të jep statusin e njëjtë, më të ulëtin në burg, tha aktivisti, i cili kërkoi që të mbetej anonim.

Kevin Lik në një spital në Gjermani pas shkëmbimit të të burgosurve.

Në izolim, tha ai, kishte ngrënë vetëm bukë dhe kishte humbur 42 kilogramë.

Kevin Lik, një student gjermano-rus në dhjetor të vitit 2023 u dënua me katër vjet burgim për tradhti. Ai u cilësua si i burgosur politik nga grupi Memorial. Ai mbijetoi nga pakot me noodles që i dërgoi e ëma e tij. Kur u lirua në gusht gjatë këmbimit të të burgosurve mes Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe shteteve të tjera, Lik, që është 19 vjeç dhe pothuajse 2 metra i gjatë, peshonte vetëm 72 kilogramë.

Atij nuk i kujtohet se cili ishte ushqimi që hëngri pasi u lirua, por tha se një gjë është e sigurt: “Ushqimi normal më lumturon shumë”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku