Izraeli urdhëron evakuimin e palestinezëve nga zona humanitare në Gazë

Palestinezët duke u larguar nga pjesë të Han Junisit, pas urdhrit të lëshuar nga ushtria izraelite. 22 korrik 2024.

Ushtria izraelite urdhëroi më 27 korrik evakuimin e zonave të mbipopulluara të Gazës, të shpallura zona humanitare.

Ushtria tha se po planifikon një operacion kundër luftëtarëve të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Han Junis, përfshirë në pjesë të Muvasit, një kamp i improvizuar me tenda ku janë strehuar mijëra persona.

Urdhri u lëshua në përgjigje të gjuajtjes së një rakete, që Izraeli tha se u lëshua nga kjo zonë. Ky është urdhri i dytë për evakuim i lëshuar gjatë kësaj jave për zonat e dedikuara për strehimin e palestinezëve, të cilët janë zhvendosur si pasojë e luftimeve në pjesë të tjera të Gazës. Shumë palestinezë janë zhvendosur disa herë si pasojë e ofensivës ajrore dhe tokësore të Izraelit.

Të hënën, pas një urdhri për evakuim, disa sulme ajrore ruse u kryen përreth Han Junisit, duke vrarë të paktën 70 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila ka cituar të dhënat nga spitali Nasser.

SHIKONI EDHE: Nga një sulm izraelit në Gazë vriten 71 persona

Kjo zonë është pjesë e “zonës humanitare” me sipërfaqe prej 60 kilometrash katrorë, ku Izraeli u ka thënë palestinezëve që të strehohen si pasojë e luftës.

Shumica e zonës është e mbushur me kampe me tenda në të cilat ka mungesë të higjienës dhe të ndërtesave shëndetësore. Palestinezët e strehuar në këtë zonë po ashtu kanë qasje të kufizuar në ndihma, kanë thënë Kombet e Bashkuara dhe grupet e ndihmës.

Afër 1.8 milion palestinezë strehohen në këtë zonë prej 60 kilometrash katrorë, sipas të dhënave të Izraelit. Kjo shifër përbën mbi gjysmën e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh sa kishte Gaza para luftës.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi më 7 tetor sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë deri më tani janë vrarë më shumë se 39.100 palestinezë, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e udhëhequr nga Hamasi.