Trupat ukrainase kanë goditur një rezervuar nafte dhe një depo municionesh të ushtrisë ruse, në Krimenë e aneksuar nga Rusia, ka njoftuar departamenti për komunikim i ushtrisë së Ukrainës, nëpërmjet një komunikate të lëshuar më 22 korrik.
Guvernatori i instaluar nga Moska në rajon, Sergei Aksyonov, ka thënë se një dron ukrainas ka hedhur në erë një depo municionesh në gadishull, duke nxitur evakuimin e njerëzve në një rreze prej 5 kilometrash, dhe në ndërprerjen e trafikut hekurudhor për pak kohë në urën e Krimesë.
Raportimet nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë më 22 korrik se ura e Krimesë ishte objektiv legjitim luftarak, sepse ajo ishte rrugë e furnizimit ushtarak për Rusinë. Ai ka thënë një ditë më parë se ura që lidh Rusinë me Krimenë e okupuar duhet “të neutralizohet”.
Ura mbi Ngushticën e Kerçit përdoret çdo ditë për të siguruar municione për luftën, ka pohuar Zelensky më 21 korrik, duke folur përmes videolidhjes në Forumin e Sigurisë të Aspenit, në Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
SHIKONI EDHE: Zelensky: Ura e Krimesë duhet të neutralizohetUra është vazhdimësi e okupimit rus të Krimesë, ka thënë ai, duke e quajtur strukturën “ndërtim i armikut, i bërë në kundërshtim me të drejtën dhe me të gjitha normat e zbatueshme ndërkombëtare”.
Ura ishte dëmtuar më 16 korrik, nga një sulm që Rusia ka thënë se e ka kryer Ukraina, duke përdorur dronë.
SHIKONI EDHE: Disa të vrarë, përfshirë fëmijë, nga bombardimet ruse në rajonet ukrainaseNdërkohë, bombardimet dhe sulmet ajrore ruse ndaj zonave civile të Ukrainës dhe ndaj infrastrukturës për eksportimin e grurit kanë vrarë të paktën gjashtë persona, përfshirë dy fëmijë, dhe kanë shkaktuar dëme masive materiale gjatë 24 orëve të fundit, kanë njoftuar zyrtarët ushtarakë dhe rajonalë, më 22 korrik.
Ushtria ruse ka lëshuar 16 raketa lundruese dhe ka kryer mbi 20 sulme ajrore ndaj pozicioneve dhe zonave të banuara ukrainase, ka bërë të ditur Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, në raportin e tij të përditshëm.