Nga numri prej 845 vendeve të rezervuara për studentët nga komunitetet pakicë, për regjistrim këtë vit akademik në nivelin bachelor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, janë regjistruar vetëm 106 studentë.
Ndërsa për nivelin master, nga 269 vende, këtë nivel e kanë regjistruar vetëm 27 veta.
Këto të dhëna i ka prezantuar për Radion Evropa e Lirë Esat Kelmendi, sekretar i Rektoratit të Universitetit të Prishtinë. Ai tha se studentët nga komunitetet joshumicë kanë shfaqur interesim më të madh për të studiuar mjekësinë dhe edukimin, ku provimet janë mbajtur në gjuhët përkatëse, atë serbe, boshnjake dhe turke.
“Interesimi më i madh nga komunitetet joshumicë këtë vit, por edhe vitet paraprake, ka qenë kryesisht në Fakultetin e Edukimit, Fakultetin e Mjekësisë, Fakultetin Filozofik, pastaj vijnë këto të shkencave teknike, do të thotë Arkitekturë, Inxhinieri Kompjuterike, Juridik, Ekonomik e tutje”, tha Kelmendi.
“Provimi pranues mbahet në gjuhët përkatëse të komunitetit, do të thotë, komuniteti RAE edhe shkollimin e mesëm edhe fillor e kryejnë në gjuhën shqipe. Ndërsa komuniteti boshnjak dhe turk, e kryejnë në gjuhën amtare. Prandaj edhe testi përpilohet në gjuhën e tyre amtare”, theksoi ai.
SHIKONI EDHE: Bytyqi: Depolitizimi i shkollave, sfidë që duhet të tejkalohetMe qëllim të krijimit të lehtësive për regjistrimin e studimeve, kuota për pranimin e studentëve nga radhët e pakicave, nënvizoi ai, është më e ulët në krahasim me komunitetin shumicë.
“Natyrisht, këto kategori, me kuota të rezervuara kanë një lehtësi në raport me atë shumicë, sepse pragun e kalueshmërisë nuk e kanë 40 për qind, por e kanë 30 për qind dhe hyjnë në garë mes vete për vendet e rezervuara”, tha Kelmendi.
Marrë parasysh që numri më i madh i vendeve të rezervuara për komunitete pakicë mbeten të paplotësuara, viteve të kaluara ishte shënuar edhe fenomeni i tentativave nga studentët e komunitetit shqiptarë që t’i zënë vendet e zbrazëta. Por, sipas sekretarit Kelmendi, këtë vit ky problem është evituar.
“Jo nuk ka pasur asnjë problem, asnjë tentativë. Të gjitha janë verifikuar nga përfaqësues të komunitetit joshumicë, janë verifikuar paraprakisht kandidatët të cilët kanë aplikuar a i takojnë komunitetit përkatës dhe pastaj është bërë regjistrimi. Pranimi do të thotë është bërë me kusht, derisa është kthyer përgjigja e verifikimit”, tha Kelmendi.
Dukagjin Pupovci, drejtuesi i Qendrës për Arsim të Kosovës vlerëson se ka disa arsye se pse studentët e pakicave nuk janë të interesuar të studiojnë në Universitetin e Prishtinës. Sipas tij, njëra ndër arsyet kryesore është se nuk e flasin gjuhën shqipe.
“Unë mendoj se në shumë raste mund të jetë problem gjuha e studimit, pasi që një numër i studentëve, në veçanti janë nga komuniteti boshnjak nuk e flasin gjuhën shqipe në masën e duhur për të mundur të studiojnë në atë gjuhë dhe po ashtu ekzistojnë mundësi të cilat u jepen pjesëtarëve të disa komuniteteve që të studiojnë në vendet tjera në gjuhën e tyre amtare. Këtu në radhë të parë e kam fjalën për komunitetin turk, ku mundësitë për të studiuar në Turqi janë jashtëzakonisht të mira”, tha Pupovci.
*VOX: Sfidat me të cilat përballen studentët
Your browser doesn’t support HTML5
Kurse studentët nga komuniteti serb, sipas tij, zakonisht zgjedhin të studiojnë në Universitetin e Mitrovicës së Veriut.
“Në radhë të parë në Kosovë ekziston mundësia që të studiohet në gjuhën serbe, ekziston Universiteti i Mitrovicës së Veriut ku po supozoj që pjesa më e madhe e komunitetit serb gravitojnë. I kemi aty edhe këto arsyet politike pra, sepse po supozoj që pjesëtarët e komunitetit në masë të madhe edhe hezitojnë të studiojnë në një institucion i cili është nën autoritetin e Republikës së Kosovës, prandaj edhe orientohen edhe më shumë kah Universiteti i Mitrovicës së Veriut”, theksoi Pupovci.
Përfaqësimi i komuniteteve joshumicë në të gjitha institucionet e Kosovës, u garantohet atyre me Kushtetutë, ligje dhe aktet tjera në fuqi.