Raportimet për plagjiaturë nga profesorët e Universitetit të Prishtinës, kanë shtyrë institucionet që të ndërmarrin vendime për të luftuar këtë dukuri në arsimin e lartë të Kosovës.
Më 15 gusht, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci nxorri një vendim rreth punimeve dhe publikimeve shkencore të stafit akademik.
Sipas vendimit, të gjitha institucionet e arsimit të lartë të Kosovës obligohen që me rastin e deklarimit të stafit akademik në platformën e-akreditimi të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) të bëjnë ngarkimin e disertacionit të doktoratës dhe të publikimeve në revistat e indeksuara.
Ky vendim hyn në fuqi më 1 tetor.
Ndërkaq nga Rektorati i UP-së i thanë Radios Evropa e Lirë se pas pushimeve vjetore, Senati do të trajtojë rastet e dyshuara për plagjiaturë nga profesorët e këtij universiteti.
Senati i Universitetit është organi më i lartë akademik i UP-së.
Sipas statutit të Universitetin të Prishtinës, “titulli akademik doktor shkence mund të revokohet në rast të dëshmisë se është plagjiat apo shkelje e të drejtës së autorit”.
Deri më tani, dhjetëra profesorë të UP-së janë dyshuar e në disa raste janë vërtetuar se kanë publikuar punime shkencore dhe libra plagjiaturë. Por, ata asnjëherë nuk e morën ndëshkimin e duhur për këto shkelje akademike, thonë përfaqësuesit e organizatave që monitorojnë sistemin e arsimit të lartë.
Plagjiatura është përdorimi i fjalëve, ideve koncepteve ose të dhënave të një personi tjetër pa e cituar.
Denoncimet nga shoqëria civile
Sipas një hulumtimi të bërë nga platforma “Akademia”, nga 37 punime për doktoraturë të stafit akademik, të përzgjedhura për verifikim, afër 85 për qind e tyre ishin konsideruar plagjiaturë.
Platforma ‘Akademia’, në vitin 2016 ka krijuar platformën anti-plagjiaturë dhe sistemin që mundëson analizë ndërgjuhësore me qëllim të kontribuojë në zhvillimin e cilësisë dhe mbrojtjen e integritetit akademik.
Për raste të plagjiaturës të kryer nga stafi akademik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP) është raportuar edhe nga shoqëria civile.
Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), në vitin 2018 kishte raportuar për tetë profesorë të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në UP se kanë punime apo libra plagjiaturë.
Nga kjo organizatë kishin denoncuar këto raste në Këshillin e Etikës në UP, por nuk ishte marrë asnjë masë ndaj tyre.
ORCA, e themeluar në vitin 2016, ka mision që të kontribuojë në rritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë, me fokus kryesor arsimin universitar.
SHIKONI EDHE: Mungesë në numër dhe cilësi e kuadrove akademikeKjo organizatë është aktive në mbikëqyrjen e proceseve akademike në arsimin e lartë në Kosovë, dhe në reagime të koordinuara për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies në universitetin publik.
Në vitin 2018 edhe organizata joqeveritare ‘Admovere’, kishte publikuar emrat e 16 profesorëve të cilët ishin dyshuar se kanë libra apo punime shkencore plagjiatë.
'Admovere' po ashtu është një organizatë e cila angazhohet në rritjen e cilësisë së arsimit të lartë në Kosovë, me theks të veçantë në UP. Kjo organizatë identifikon problemet në këtë fushë dhe të ofron rekomandime për zgjidhjen e tyre.
Ndëshkimet minimale
Vetëm brenda dy muajve të këtij viti, pas denoncimeve nga ORCA për plagjiaturë të kryer nga shtatë profesorëve – dy në Fakultetin Filozofik dhe pesë në Fakultetin Edukimit dhe Sportit – Këshilli i Etikës në UP ka vërtetuar se ata kanë bërë plagjiaturë.
Ndaj këtyre profesorëve, Këshilli i Etikës ka shqiptuar ndëshkime, duke iu ndaluar mentorimin e temave të diplomave për të gjitha nivelet e studimeve për dy-tri vjet.
Por, Adea Kondirolli, menaxhere e projekteve dhe udhëheqëse e hulumtimit në ORCA, thotë për Radion Evropa e Lirë se këto vendime të këshillit janë joadekuate.
“Profesorët që verifikohet se kanë plagjiaturë duhet t’u tërhiqen titujt akademikë që i kanë fituar dhe duhet të përjashtohen nga universiteti. Nuk ndodh askund në botë që një profesor të kapet me plagjiaturë dhe të mbajë vendin e punës”, thotë Kondirolli.
Deri më tani, sipas saj, UP-ja nuk ka marrë ndonjë vendim të tillë ndaj ndonjë profesori.
Në mesin e profesorëve për të cilët Këshilli i Etikës në UP ka konstatuar se në punimet e tyre ka plagjiaturë dhe i ka ndëshkuar janë edhe Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati, të dy profesorë në Fakultetin Filozofik të UP-së.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar me profesorin Bujar Dugolli, por ai nuk ka dashur që të komentojë këtë çështje. Por, në një postim në rrjetin social Facebook, ia ka thënë se vendimi i Këshillit të Etikës është “arbitrar dhe joprofesional”.
REL ka provuar të kontaktojë edhe profesorin Ardian Kastrati, i cili është edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, por ai nuk ishte i qasshëm për deklaratë.
A ka legjislacion që ndëshkon plagjiatët?
Në Kosovë, përveç Këshillit të Etikës në Universitetin e Prishtinës, i cili mund të marrë masa për profesorët që bëjnë plagjiaturë, ka edhe legjislacion i cili në një formë apo tjetër ndëshkon plagjiaturën.
Këto ndëshkime përfshihen në Ligjin për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta.
Ndonëse ky ligj nuk përdor termin plagjiaturë, aty ka ndëshkim me gjobë nga 500 deri në 25 mijë euro për të gjithë personat që shfrytëzon pa leje veprën e autorit.
Eksperti i çështjeve të arsimit, Nehat Mustafa nga Qendra për Avancimin e Performancës së Arsimit, thotë se “askush nuk mund të arsyetohet me atë se nuk ka legjislacioni për të dënuar plagjiatët”.
“Plagjiatura në aspektin e deliktit është një lloj plaçkitjeje ku të gjitha ligjet në Kosovë e dënojnë plaçkitjen. Edhe me ligjet aktuale pa pasur nevojë të nxirren ligje tjera, plagjiatët ka hapësira t’i nënshtrohen sanksioneve ligjore”, thotë Mustafa për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se nëse ka vazhdimisht denoncime për plagjiaturë dhe Universiteti i Prishtinë nuk merr masa, duhet të jetë Prokuroria e cila duhet të iniciojë ato raste që raportohen nga shoqëria civile apo dikush tjetër.
Ndërkaq, Besart Konushevci drejtor në Platformën ‘Akademia’, thotë se ka mungesë të vullnetit të institucioneve për të adresuar problemin e plagjiaturës dhe për të ndëshkuar profesorët që kryejnë këtë akt.
“Vendet e zhvilluara evropiane që kanë ndërmarrë hapa të trajtojnë plagjiaturën kanë ardhur nga logjika lartë-poshtë: nga ministria - nga qeveria. Nëse lihet vetëm në dorën e një institucioni do të jetë e pamundur që të zgjidhet problemi”, thotë Konushevci.
SHIKONI EDHE: Edhe një vit i vështirë për arsimin në KosovëShqipëria dhe Maqedonia e Veriut me gjoba dhe burg për plagjiatët
Për dallim nga Kosova, dy vendet e rajonit, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë masa më të rrepta për plagjiaturë. Përveç gjobës ka ndëshkim edhe me burg.
Në Maqedoni të Veriut gjobat sillen varësisht veprës që ka bërë personi fizik apo juridik.
Ndërkaq, nëse personi ka arritur një përfitim më të madh duke shfrytëzuar të drejtat autoriale të ndonjë personi tjetër, atëherë parashihet dënimi me burgim nga tre muaj deri në tre vjet.
Në Shqipëri, sipas Kodit Penal, plagjiatura si vepër penale mund të ndëshkohet me gjobë e deri në dy vjet burgim.
Por, edhe këto dy shtete, sipas një hulumtimi që ka bërë Platforma ‘Akademia’, është vërtetuar nivel alarmant i plagjiaturës, thotë për Radion Evropa e Lirë, Besart Konushevci.
Nagavci: UP-ja të sigurojë ndershmëri akademike
Para nxjerrjes së vendimit të 15 gushtit, Radio Evropa e Lirë kishte kërkuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionet përgjigje rreth asaj se si do ta zgjidhë problemin e plagjiaturës. Por, sipas këtij institucioni, kjo çështje i takon UP-së.
Pas masave të marra nga Këshilli i Etikës, ministrja Nagavci, përmes një postim në rrjetin social Facebook, i kishte konsideruar si masa joadekuate dhe kishte kërkuar nga UP-ja që t’i rishikojë dhe të sigurojë respektimin e standardeve të ndershmërisë akademike brenda institucionit.
“Ngritja e cilësisë në arsimin e lartë është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë dhe MASHTI-it për çka jemi duke u angazhuar shumë që nga fillimi i mandatit”, deklaroi Nagavci.
Ministrja ka paralajmëruar se Projektligji i ri për arsimin e lartë do të ketë masa të veçanta për parandalimin e të gjitha formave të cenimit të integritetit akademik.
Ky projektligj, ka shkruar Nagavci, parasheh formimin e Komitetit Etik në nivelin qendror, si dhe obligon të gjitha institucionet e arsimit të lartë të kenë këshilla të etikës.
A është e vështirë të verifikohet plagjiatura?
Besart Konushevci thotë se nëse deri në vitin 2016 nuk ka pasur zgjidhje të verifikimit të plagjiaturës, ky problem aktualisht nuk ekziston.
Platforma 'Akademia’, shton ai, ka sistemin anti-plagjiaturë i cili ka qasje në më shumë se 17 miliardë shkrime në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja.
Ky sistem detekton ngjashmëritë e punimeve dhe brenda një kohë shumë të shkurtër vërteton nëse ka plagjiaturë.
“Rrjedhimisht ne jemi fokusuar të ndërtojmë një sistem ndërgjuhësor anti-plagjiaturë i cili mundëson përkthimin e përmbajtjes dhe identifikimin e saj. Ky ka qenë qëllimi që të ofrojmë një zgjidhje që i përmbush nevojat e tregut, por, nuk ka pasur interes nga institucionet të luftohet kjo”, thotë ai.
Universitetit të Prishtinës, shton Konushevci, i ishte ofruar ky sistem, por nga ky institucion nuk kanë shpreh interesim.
Këtë sistem anti-plagjiaturë, tregon ai, e kanë instaluar disa universitet në Shqipëri dhe disa private në Kosovë.
Çfarë shkakton plagjiatura në arsimin e lartë?
Plagjiatura nga stafi akademik në UP, sipas ekspertëve të arsimit është një problematikë që ndikon drejtpërdrejtë në cilësinë e mësimeve dhe studimeve që i marrin studentët.
Eksperti i çështjeve të arsimit, Nehat Mustafa nga Qendra për Avancimin e Përformancës së Arsimit, thotë se dukuria e plagjiaturës nga stafi akademik do të lë gjumë të mëdha në sistemin e arsimit.
“Kur kemi numër të madh të plagjiatëve, kemi ulje të reputacionit të arsimit, reputacioni do të bie, punimet shkencore të studiuese të Kosovës nuk do të arrijnë kredibilitetin që e meritojnë”, thotë ai.
Adea Kondirolli nga ORCA thotë se arsyeja pse profesorët bëjnë punime shkencore është që ata të jenë të përditësuar me të reja në shkencën bashkëkohore dhe të japin kontributin e tyre në shkencë.
“Nëse ata janë duke bërë plagjiaturë, nuk janë duke dhënë kontribut, janë duke e dëmtuar”, thotë Kondirolli.
SHIKONI EDHE: Shitblerja e “dijes”Vetë ministria e Arsimit, Nagavci, ka pranuar se gjendja në Universitetin e Prishtinës është e rëndë dhe se duhet urgjentisht të bëhen ndryshme.
“Kjo është e papranueshme dhe s’mund të vazhdojë”, ka shkruar Nagavci në rrjetin social Facebook.
Në raporte të ndryshme ndërkombëtare, Kosova është kritikuar për cilësinë e dobët në arsim, duke filluar nga cikli i ulët e më lart.