Unioni Afrikan e ka siguruar edhe formalisht ulësen si anëtar i ri i G20-ës të shtunën në Nju Delhi, me ftesë të kryeministrit të Indisë, Narendra Modi.
Zgjerimi i bllokut është një fitore e madhe diplomatike për Modin, i cili përballet me zgjedhje të përgjithshme vitin e ardhshëm dhe i ka përdorur të drejtat e nikoqirit të forumit të këtij vitit për ta përmirësuar imazhin si burrështetas ndërkombëtar.
Para fjalimit hapës, Modi e përshëndeti kryetarin e Unionit Afrikan dhe presidentin e Komorosit, Azali Assoumani, me një përqafim të ngrohtë.
SHIKONI EDHE: Çfarë pritet nga mbledhja e liderëve botërorë në Indi?“India propozoi për ta bërë Unionin Afrikan anëtar të përhershëm të G20-ës. Unë besoj se ne e kemi pajtimin e të gjithëve për këtë”, tha Modi në fjalimin e tij hapës në samit.
“Me pajtimin e të gjithëve, unë kërkoj që kryetari i Unionit Afrikan ta marrë ulësen si anëtar i përhershëm i G20-ës”, shtoi ai.
Assoumani u ul në mesin e liderëve botërorë me ftesën e ministrit të Jashtëm të Indisë, Subrahmanyam Jaishankar.
Në vitet e fundit ka qenë tejet e vështirë arritja e konsensusit në mesin e anëtarëve, për shkak të ndarjeve të thella rreth luftës në Ukrainë.
“Bota përballet me një krizë të madhe të besimit”, tha Modi.
“Lufta e ka bërë këtë besim të humbë edhe më shumë. Nëse mund ta mposhtim Covidin, mund edhe ta mundim këtë krizë të përbashkët të besimit”, nënvizoi ai.