Zelensky bën thirrje që amerikanët të vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje që Uashingtoni të qëndrojë i bashkuar, teksa janë ngritur pyetje rreth mbështetjes amerikane për shtetin e tij pas zgjedhjeve të mesmandatit, që do të përcaktojnë se kush e kontrollon Kongresin amerikan.

“Iu bëj thirrje të qëndroni të bashkuar, sikurse tani, deri në ditën kur ne të gjithë të dëgjojmë ato fjalë të cilat i ëndërrojmë... derisa të dëgjojmë se paqja më në fund është rivendosur. Demokracitë nuk duhet të ndalen në rrugën e tyre për fitore”, tha ai.

SHIKONI EDHE: Lufta në Ukrainë: Çka nëse republikanët fitojnë në Kongres?

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka qenë aleat kyç i Kievit në furnizimet me armë dhe ndihma financiare pas pushtimit rus të Ukrainës.

Zgjedhjet në SHBA po mbahen për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit amerikan.

Nëse demokratët e Bidenit humbin zgjedhjet, atëherë mund të vihet në pikëpyetje mbështetja e fuqishme e SHBA-së për Kievin.

“Si në çdo shoqëri demokratike, ukrainasit kanë mendime të ndryshme për jetën dhe politikën. Si në rastin e viteve të kaluara, ne kemi qenë të ndarë dhe kemi pasur mëdyshje nëse do të mund të bashkohemi”, tha Zelensky.

SHIKONI EDHE: Kur do të dihen fituesit për zgjedhjet e Kongresit amerikan?

“Por, kur Rusia vendosi të shkatërrojë lirinë tonë dhe ta zhdukë Ukrainën nga faqja e dheut, ne menjëherë u bashkuam”, shtoi ai.

Kongresi amerikan ka ndarë 40 miliardë dollarë për Ukrainën në maj, si pjesë e mbështetjes për ushtrinë ukrainase, dhe gjatë kësaj jave Kievi pranoi nga Uashingtoni më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore.