Ukraina tha se dronët rusë ranë dhe shpërthyen në territorin rumun gjatë natës, gjatë sulmeve në shkallë të gjerë në qytetin-port ukrainas të Izmailit.
“Sipas Shërbimit shtetëror të Rojeve Kufitare të Ukrainës, ‘Shahedët’ [lloj dronësh të prodhimit iranian] ranë dhe shpërthyen në territorin rumun natën, gjatë një sulmi masiv rus pranë portit të Izmailit”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko.
Por, Ministria e Mbrojtjes së Rumanisë mohoi këto pretendime.
Kjo ministri tha se sulmi me dronë në infrastrukturën e portit të Izmailit nuk paraqiti kërcënim direkt ushtarak për Rumaninë, shtet anëtar të NATO-s.
SHIKONI EDHE: Rusia sulmon me dronë portin në OdesaMë herët gjatë të hënës, autoritetet ukrainase thanë se kanë rrëzuar 17 dronë rusë në rajonin e Odesës - ku gjendet porti i Izmailit -, disa prej të cilëve arritën të godisnin caqet.
Ukraina raportoi për dëme në infrastrukturën e portit të Izmailit, që gjendet në lumin Danub. Ky lum është shndërruar në rrugën kryesore prej nga po eksportohen drithërat ukrainase, pasi në korrik Rusia u tërhoq nga marrëveshja për eksportin e drithërave nga portet e Detit të Zi.