Ukraina kujton viktimat e Buçës, një vit pas çlirimit
Kur trupat ruse u tërhoqën nga Buça, në periferi të Keivit, pas 33 ditësh pushtim – pasi dështuan të merrnin kontrollin e kryeqytetit ukrainas – ata lanë pas skena të tmerrshme, që edhe pas një viti nuk janë harruar.
Fotografitë e trupave të civilëve, disa me duar të lidhura pas shpine, u shpërndan në mbarë botën.
Të tjera fotografi, sikurse kjo e Ira Gavrilukut, duke mbajtur në duar macen e saj teksa kalon pranë trupit të pajetë të burrit të saj më 4 prill, tronditën botën.
Autoritetet në Kiev thanë se mbi 1.400 vdekje, përfshirë 37 fëmijë, ndodhën gjatë pushtimit rus të Buçës.
Një qen qëndron i ulur pranë trupit të pajetë të Volodymyr Brovchenko. Ai ishte qëlluar për vdekje teksa po ngiste biçikletën e tij në rrugët e Buçës.
Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë kanë akuzuar trupat ruse për krime lufte, pas zbulimeve në Buça, duke u mbështetur në pamjet e tmerrshme dhe në dëshmitë e të mbijetuarve. Moska ka mohuar akuzat dhe ka pretenduar se këto mizori ishin inskenuar.
Disa njerëz duke qarë pranë një varri masiv më 3 prill 2022.
Kievi po ashtu raportoi se 175 persona u gjetën në disa varreza masive dhe në disa dhoma torturash.
Pothuajse një vit më vonë, autoritetet lokale kanë rindërtuar rrugët, duke fshirë shumicën e shenjave të dukshme të vdekjeve dhe shkatërrimit.
Daria (majtas) është fotografuar më 30 mars 2023, duke shikuar burrin e saj Maxim që po lyente portën e shtëpisë së tyre, teksa afër tyre fëmijët e tyre lozin. Një vit më parë, zrupat e pajetë të cilëve ishin gjetur edhe në rrugën pranë shtëpisë së tyre.
Edhe pse shumica e rrugëve dhe shumë shtëpi janë riparuar dhe pastruar, banorët kanë thënë se për shërimin e plagëve të thella psikologjike, të shkaktuara nga pushtimi, do të duhen të kalojnë gjenerata.
Një grua duke kaluar pranë bilbordeve të vendosura në Buça, të ushtarëve ukrainas që vdiqën duke mbrojtur shtetin e tyre.
Veturat civile dhe ushtarake të shkatërruara gjatë pushtimin ende mund të shihen në afërsi të ndërtesave të banimit në Buça, edhe një vit pas çlirimit të kësaj qyteze.
Varret e viktimave të paidentifikuara, përfshirë fëmijë, që u vranë gjatë pushtimit rus të Buçës, janë të shënjuara me numra.
Familjarët e ushtarëve të vrarë marrin pjesë në një ceremoni për të nderuar ata, në përvjetorin e parë të çlirimit të Buçës më 31 mars.
Një pjesëtar i Gardës së Nderit shihet prapa flamurit kombëtar të Ukrainës që u ngrit gjatë ceremonisë së organizuar për të shënuar përvjetorin e parë të çlirimit të Buçës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Ukraina kurrë nuk do të falë për mizoritë e kryera në Buça.