Shënjestrat e mundshme të Ukrainës në Krimenë e aneksuar

Zjarr dhe flakë u panë pas shpërthimit në bazën ajrore ruse Novofedorivka, në Krime, në muajin gusht.

Imazhet e fundit satelitore nga Krimeja e aneksuar nga Rusia, të cilat i ka siguruar Radio Evropa e Lirë, shfaqin baza ajrore, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe anije. Ekspertët e mbrojtjes thanë se këto mund të jenë shënjestra kryesore për ushtrinë ukrainase, e cila po kërkon që t'i dobësojë forcat e Moskës dhe të rimarrë territorin e pushtuar nga rusët.

Rëndësia e Krimesë si vend për të nisur sulme ajrore ruse brenda Ukrainës është rritur pas tërheqjes së forcave ruse një muaj më parë nga qyteti i Hersonit – kryeqyteti i vetëm rajonal që Moska kishte marrë nën kontroll që kur nisi pushtimin në shkurt – dhe në bregun lindor të lumit Dnjepër dhe në zonat përreth.

Forcat ruse kanë pësuar një sërë disfatash që kur ka nisur pushtimi, por ato, përveç Krimesë, që e aneksuan më 2014, vazhdojnë të mbajnë nën kontroll pjesë të rajonit të Hersonit, Zaporizhjës, Luhanskut dhe Donjeckut. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, vazhdimisht ka përsëritur se qëllimi i Kievit është që të rimarrë kontrollin e të gjithë territorit të shtetit, përfshirë edhe të Gadishullit të Krimesë.

Gazetarët e Realiteteve të Krimesë të REL-it kanë krijuar një bazë të të dhënave, përmes së cilës janë identifikuar mbi 150 vende ushtarake ruse në këtë gadishull. Me ndihmën e analistëve të mbrojtjes dhe kolegëve nga ekipi hetues Schemes, ai i Shërbimit ukrainas të REL-it, ata kanë arritur të marrin pamje nga kompania amerikane e imazheve satelitore, Planet Labs, ku shfaqen ndërtesat më të rëndësishme.

Ja çfarë kanë zbuluar ata.

Aviacioni

Nga dhjetë baza ajrore që janë aktive në Krime, siç sugjerojnë imazhet satelitore, deri në mes të nëntorit baza ajrore në Dzhankoi është shndërruar në qendrën kryesore logjistike për operacionet e Rusisë në jugun e Ukrainës. Ajo, po ashtu, shërben si bazë për helikopterët sulmues.

Dzhankovi është “numër një në top-pesëshen” e shënjestrave ajrore ukrainase, tha Viktor Kevlyuk, ekspert i industrisë së mbrojtjes në Qendrën për Strategji të Mbrojtjes, një institut me seli në Kiev.

Ish-komandanti i marinës ukrainase, zëvendësadmirali Ihor Voronchenko, e quajti Dzhankovin një “bazë të shkëlqyer” për forcat tokësore dhe ajrore ruse, pasi “zgjeron rrezen e veprimit – pikë së pari të aviacionit ushtarak” në jug të Ukrainës.

Përdorimi i pistës së kësaj baze nga Rusia tani është “mjaft i madh”, tha Kevlyuk, pasi pista ajrore mund të përdoret nga avionët e rëndë që transportojnë trupa në rajonet e afërta, në Herson dhe Zaporizhja, ku forcat ruse kontrollojnë një pjesë të madhe të territorit në lindje dhe jug të Dnjepërit. “Ia vlen të shikohet”.

Imazhet satelitore të Planet Labs nga 31 tetori kanë shfaqur mbi 50 helikopterë të stacionuar në bazën ajrore të Dzhankovit. Në mesin e tyre ka edhe helikopterë të llojit Ka-52, që janë helikopterë sulmues, të aftë që të shkatërrojë tanke. Aty, po ashtu, janë parë edhe helikopterë luftues Mi-28, që janë të prodhuar nga Rosoboroneksport, kompani shtetërore ushtarake ruse, dhe këto lloje helikopterësh cilësohen si “tanke fluturuese”. Sipas imazheve, në bazë janë parë edhe helikopterë të llojit Mi-35 dhe Mi-8, që janë helikopterë me përdorim të shumëfishtë. Mi-8 mund të përdoren për transport, sulme dhe zbulim.

Imazhet satelitore të bazës Dzhankov, të realizuara më 31 tetor.

Përveç helikopterëve, avionët kargo dhe ata sulmues të llojit Su-25 shpesh fluturojnë për në bazën Dzhankov, sipas imazheve të Planet Labs. Kjo bazë ajrore duket se ka të paktën tri depo me municion dhe hapësira për sistemet e mbrojtjes raketore dhe kundërajrore.

Një sulm ndaj bazës Dzhankov do të komplikonte edhe më tej problemet logjistike për trupat ruse në jug të Ukrainës dhe “do të ishte shumë efektive dhe në përgjithësi në favor” për forcat ukrainase në rajonin e Hersonit, tha Kevlyuk.

Edhe dy baza ajrore kanë tërhequr vëmendjen e analistëve.

Avionët nga Hardivske, rreth 22 kilometra në veri nga kryeqyteti i Krimesë, Simferopol, furnizojnë avionët luftarakë Su-25 dhe bombarduesit Su-24, që Rusia më së shpeshti përdor për të kryer sulme në distanca të shkurta në territorin që kontrollohet nga Ukraina. Ndërkaq, një fabrikë në qytetin Jevpatoria në Krime riparon avionët Su-25, kanë thënë analistët.

Avionët luftarakë rusë Su-25 duke marrë pjesë në stërvitje ushtarake.

Kjo bazë ajrore është shtëpi e një regjimenti, që është një prej grupeve kryesore ajrore të ushtrisë ruse.

Imazhet satelitore të Planet Labs nga baza Hardivske, të realizuara më 13 nëntor.

Në jugperëndim, imazhet e Planet Labs, që datojnë më 15 nëntor, shfaqën avionët luftarakë Sukhoi Su-27, Su-34 dhe MiG-31, që ishin të stacionuar në bazën ajrore Belbek. Kjo bazë gjendet në lindje të qytetit-port Sevastopol, ku është e vendosur Flota e Detit të Zi të Rusisë. Sipas imazheve, avionët luftarakë përbëjnë shumicën e avionëve të vendosur në këtë bazë.

baza ajrore Belbek. Këto imazhe satelitore janë realizuar më 15 nëntor.

Më 2018, Rusia planifikoi që Belbek të përdorej për bombarduesit strategjikë, por në imazhet satelitore nuk është parë asnjë bombardues. Mungesa e bombarduesve ka të ngjarë të jetë bërë ngase stacionimi i tyre në bazën ajrore Engels apo Shaikovka të Rusisë është më i sigurt. Kjo pasi bazat ajrore në Krime mund të goditen nga dronët apo raketat, tha Denys Tomenchuk, redaktor në ueb-faqen e lajmeve për aviacion, MilitaryAviation.in.UA.

Që nga muaji gusht, shpërthime dhe zjarre kanë ndodhur në këto tri ndërtesa.

Marina

Rusia ka lansuar shumicën e raketave të llojit Kalibr, ndaj qendrave të populluara ukrainase, nga ujërat e Detit të Zi, në Gadishullin e Krimesë. Më 5 dhjetor, Zelensky u zotua se Kievi do të punojë për t’u siguruar që këto raketa “mund të arrijnë vetëm” në fundin e detit.

Sipas imazheve të Planet Lab, që datojnë më 9 nëntor, tregohet se anijet 1239 dhe 1241, që kanë lëshuar këto raketa, ishin të ankoruara pranë gjirit Holand, vetëm disa kilometra larg Sevestapolit, që është shtëpi e Flotës ruse në Detin e Zi.

Gjiri i Sevastopolit. 9 nëntor 2022.

Këto anije zakonisht lundrojnë “në distanca shumë të shkurtra” në Detin e Zi dhe lëshojnë raketat nga aty. Kjo bëhet për të shmangur rrezikun që ndonjë raketë të godasë malet në Sevastopol, tha për REL-in ish-zëvendëshefi i marinës ukrainase, Andriy Ryzhenko.

Vendet se ku ruhen raketat Kalibr nuk dihen, por Voronchenko, që mbikëqyri marinën ukrainase nga viti 2016 deri më 2020, hamendësoi se ato mund të ruhen në tunelet në malin Inkerman, në jugperëndim të Krimesë. Më herët, Ukraina kishte përdorur këtë lokacion për të ruajtur torpedotë, minat dhe municionin për anijet, tha ai.

“Këto tunele kanë siguri shumë të mirë”, tha Voronchenko. “Do të duhet shumë përpjekje për të goditur këto tunele”, shtoi ai.

Përveç anijeve të pajisura me raketa Kalibr (anijet 1239 dhe 1241), sipas imazheve satelitore, anijet amfibe (1135, 1171, 775), anijet patrulluese (22160) dhe anija 11356 u panë më herët në kuadër të Flotës së Detit të Zi, ose si pjesë e flotës së luftanijeve Admiral Makarov apo të Admiral Essen.

Mungesa e hapësirës nënkupton se këto anije janë të ankoruara pranë njëra-tjetrës në Sevastopol. Një anije, që duket se është patrulluese – e që ka të ngjarë që operon një pajisje monitoruese nënujore me një rreze veprimi prej një kilometër, sipas Ryzhenko – është parë duke qëndruar në qendër të gjirit.

Rrjetet kundërraketore dhe kundërajrore

Goditja e këtyre shënjestrave në Ukrainë, megjithatë mund të jetë sfidë, thanë ekspertët ushtarakë. Kur forcat ruse aneksuan gadishullin më 2014, ata gjithashtu morën kontrollin e rrjetit të mbrojtjes kundërajrore S-300 dhe Buk. Rusia që atëherë i ka shtuar arsenalit të saj të mbrojtjes ajrore edhe sistemet S-400 dhe sistemet Bal dhe Bastion.

Imazhet satelitore shfaqën gjashtë raketahedhës mobilë Bastion-P në afërsi të Feodosia, një qytet jo shumë larg Ngushticës së Kerçit, ku Moska ka ndërtuar urën që e lidh Krimenë. Kjo urë u dëmtua rëndë gjatë një shpërthimi, për të cilin Moska e fajësoi Kievin.

Baza ajrore afër Feodosia, ku janë parë raketahedhësit Bastion-P. 31 tetor 2022.

Kevlyuk, megjithatë, tha se ky vend është kamp ushtarak dhe “jo një vend prej ku ata nisin sulme”.

Ndërkaq, imazhet e tjera satelitore shfaqën edhe sistemet Bastion në zonat malore në jug të Krimesë.

Ekspertët besojnë se municioni për këto sisteme kundërajrore ka të ngjarë që ruhet në qytetin bregdetar të Krimesë, Çornomorske.

Përgatiti: Mimoza Sadiku