Ukraina thotë se zhvendosja me dhunë e fëmijëve në Rusi mund të jetë gjenocid

Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova.

Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova, tha se po mbikëqyr disa hetime për një sërë krimesh të dyshuara të luftës në Ukrainë. Ajo tha se në mesin e hetimeve që po kryhen është edhe për zhvendosjen e dhunshme të fëmijëve në Rusi dhe për këtë ajo po tenton që të ngrehë një padi për gjenocid kundër Moskës.

Venediktova tha për Reuters se Ukraina veçse ka “mbi 20 raste lidhur me transferimin e dhunshëm të njerëzve” në Rusi, qëkur Kremlini nisi pushtimin e paprovokuar më 24 shkurt.

Ajo shtoi se përqendrimi te rasti i fëmijëve është mënyra më e mirë për të siguruar të dhëna që duhen për të plotësuar kriteret ligjore që definojnë gjenocidin.

“Që prej ditëve të para të luftës, ne e nisëm rastin për gjenocid”, tha ajo.

“Prandaj, ky transferim i dhunshëm i fëmijëve është shumë i rëndësishëm për ne”, shtoi Venediktova.

SHIKONI EDHE: A po kryen Rusia gjenocid në Ukrainë?

Sipas Konventës së Gjenocidit të vitit 1948, dëbimi me forcë i personave – veçmas transferimi me forcë i fëmijëve – gjatë një konflikti përbën krim lufte.

Venediktova nuk tregoi se sa fëmijë dyshohet se janë transferuar me dhunë nga Ukraina në Rusi, por avokatja e popullit të Ukrainës, Lyudmyla Denisova, tha në maj se Rusia ka zhvendosur mbi 210,000 fëmijë gjatë konfliktit.