Diplomim mes rrënojash
Nxënësit në Çernihiv duke pozuar për një foto të diplomimit të shkollës së mesme më 5 qershor për fotografin ukrainas, Stanislav Senyk, i cili foli me Radion Evropa e Lirë rreth projektit të tij.
Albumi i diplomimit mes rrënojash është një seri fotografish të studentëve, shumë prej të cilëve mbanin shirita, të realizuar në një qytet të shkatërruar nga pushtimi rus. “Për 10 vjet, këta nxënës do t'i kenë fëmijët e tyre dhe do të jenë në gjendje t'u tregojnë atyre se çfarë bënë rusët dhe, ndoshta, do të ndiejnë dhimbjen që përjetuan prindërit e tyre.
Senyk, me profesion fotograf dasmash dhe portretesh, e zhvendosi fokusin e tij kur Rusia pushtoi Ukrainën.
“Doja të punoja në projekte që do ta ndihmonin vendin tim”, tha ai. Ai shpreson se fotografitë e tij do të mund të mbledhin fonde për ushtrinë ukrainase përmes ankandeve në internet dhe gjithashtu do t'ia kujtojnë botës se nëpër çfarë po kalon vendi.
Duke përdorur mediat sociale, Senyk arriti të gjente 40 nxënës që kanë mbaruar shkollën e mesme në Çernihiv, të cilët pranuan të merrnin pjesë në seancat e fotografive. Imazhet u shkrepën gjatë dy ditëve teksa eksploruan rrënojat e qytetit të tyre. Shumë nxënës u kapluan nga emocionet, sepse nuk i kishin parë shokët e klasës që nga fillimi i luftës.
Senyk tha se ishte i befasuar nga nxënësit se sa të lumtur ishin që ata po merrnin pjesë.
“Fëmijët nuk dukeshin të mërzitur dhe nuk ishin të thyer”, tha ai dhe shtoi: “Përkundrazi, dukej se lufta i kishte bërë më të fortë".
Nxënëset duke pozuar në dritaret e shkatërruara të një shtëpie nga bombardimet.
"Unë dua që puna ime ta dokumentojë këtë histori, historinë e tyre", tha Senyk.
Çernihivi pësoi një shkatërrim të madh kur trupat ruse bombarduan qytetin, duke i kthyer në mbeturina mijëra ndërtesa, në mesin e tyre edhe shkolla.
“Duke ua dhënë atyre këto foto, u ndihmon të shërohen”.
Senyk u prek veçanërisht nga një nënë, e cila u emocionua pasi mori fotot. "Nuk mund ta përshkruaj emocionin që ndjeva pasi më falënderoi", tha ai.
"E kuptova se po bëja diçka, e cila do t'i ndihmonte shumë njerëzit dhe, edhe një herë, u binda se fotografia mund të bëjë gjëra të veçanta me emocionet e njerëzve", tha Senyk.
Senyk shtoi se projekti ka qenë emocionues edhe për të. "Duke ditur se këta studentë kanë pësuar kaq shumë humbje personale dhe fizike -- ata janë heronj".
Fotografi Senyk, aktualisht, është në kërkim të sponsorëve për të ekspozuar punën e tij ndërkombëtarisht.
Ju mund ta ndiqni punën e tij në llogarinë e tij në Instagram: @senykstas