Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se pret “një shtator të fuqishëm për Ukrainën”, përfshirë edhe vendime kyçe nga aleatët perëndimorë sa i përket furnizimit të Kievit me armë dhe pajisje të rëndësishme.
Kjo deklaratë e Zelenskyt erdhi disa orë pasi në mbarë Ukrainën u lëshuan alarmet paralajmëruese për sulme ajrore ruse dhe më pas autoritetet njoftuan se kanë shkatërruar disa raketa lundruese të Moskës.
Përmes një postimi në Telegram, Zelensky tha se pret që në javët në vijim të arrijnë “paketat e reja të mbrojtjes për ushtarët ukrainas”.
“Artileri, autoblinda, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe raketa dhe pajisje të nevojshme”, shkroi ai.
“Partnerët tanë janë informuar për nevojat tona. Ne po presim që ata të marrin vendime”, shtoi presidenti ukrainas.
Sipas Zelenskyt, një botë e bashkuar “është më e fortë se çdo agresor. Në shtator, ne do të jemi më të bashkuar”.
SHIKONI EDHE: Ukraina thotë se ka penguar sulmet ajrore ruseNjoftimi i Zelenskyt erdhi disa orë pasi ushtria ukrainase tha se ka shkatërruar katër raketa lundruese ruse. Autoritetet në Kiev thanë se kanë shkatërruar të gjitha raketat e nisura drejt kryeqytetit ukrainas.
Ushtria ukrainase tha po ashtu se po vazhdon kundërofensivën në Melitopol në rajonin e Zaporizhjës. Ky qytet i rëndësishëm, u mor nga Rusia pak kohë pasi Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurtin e vitit të kaluar.