Associated Press
Kur Tymofii Postoiuk dhe miqtë e tij e nisën një përpjekje për grumbullimin e të hollave online për Ukrainën, donacionet filluan të derdhen nga e gjithë bota, duke ndihmuar në blerjen e pajisjeve themelore për Forcat e Armatosura Ukrainase.
Derisa lufta me Rusinë po vazhdonte dhe lodhja nga lufta po niste, filloi edhe pakësimi i donacioneve, por paratë vazhduan të vinin rregullisht dhe pa pengesa. Pastaj, më 7 tetor shpërtheu lufta mes Izrael dhe Hamas – grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA.
Me fillimin e një konflikti tjetër të madh, mediat sociale, përfshirë X, u vërshuan nga lajmet prej Lindjes së Mesme.
“Postimet tona për mbledhjen e të hollave dhe përditësimet thjesht humbasin në mesin e atyre cicërimave”, tha Postoiuk.
Bota e ka kthyer vëmendjen prej Ukrainës kah luftimet në Rripin e Gazës – gjë që i brengos ukrainasit. Ata druhen se lodhja e botës, agjendat politike dhe resurset e kufizuara do të bëjnë që të ketë më pak ndihma për ushtrinë e tyre, duke ia dobësuar mundësitë vendit të tyre për t’i bërë ballë luftës me Rusinë.
SHIKONI EDHE: Zelensky: Konflikti Izrael-Gaza po tërheq fokusin prej konfliktit në Ukrainë“Sa më shumë që vazhdojmë të flasim për luftën tonë, aq më pak interesim do të ketë prej njerëzve”, tha 21-vjeçari Ivan Mahuriak, i cili jeton në Lviv, në perëndim të Ukrainës.
Lodhja, tha ai, vjen nga fakti se dinamikat në terren janë shumë më të vogla se në vitin 2022, kur Forcat e Armatosura të Ukrainës ia dolën t’i përzinin plotësisht apo pjesërisht forcat ruse nga disa rajone.
“Në disa vende, ende ekziston linja e frontit. Por, kjo nuk nënkupton se asgjë nuk po ndodh”, tha ai. Vëllai i tij, dy kushërinjtë, disa kolegë dhe miq janë pjesë e ushtrisë ukrainase që po lufton me trupat ruse.
Kundërofensiva e këtij viti, e cila nisi në qershor, ka përparuar me ritëm shumë më të ngadaltë, pasi trupat ukrainase po hasin në vështirësi t’i largojnë nga pozicionet e tyre rusët, të cilët janë vendosur në territoret e kapura. Mbështetja shtesë amerikane për Ukrainën është vënë në rrezik nga mosmarrëveshjet politike në Uashington, ku lufta e re po e merr vëmendjen kryesore.
Ndarjet rreth Ukrainës kanë nisur edhe në Bashkimin Evropian, i cili njoftoi se nuk do të mundë t’ia dërgojë Kievit të gjithë municionin që ia kishte premtuar. Në takimet e nivelit të lartë dhe samite të BE-së tani përqendrimi është mbi katastrofën humanitare në Gazë.
SHIKONI EDHE: BE-ja në vështirësi për ta furnizuar Ukrainën me municionin e premtuarPresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka folur për binjakëzimin e mbështetjet për Izraelin dhe Ukrainën, duke thënë se të dy këto vende janë jetike për sigurinë kombëtare.
Sekretari i Bidenit për transportin, Pete Buttigieg, e vizitoi Ukrainën më 8 nëntor për të treguar se mbështetja amerikane për Kievin nuk është zbehur.
“Fakti se jam këtu është një mënyrë për të dëshmuar se, përveç shqetësimeve të mëdha dhe vëmendjen që e kemi për atë që po ndodh në Lindjen e Mesme, ne e kemi vëmendjen, përqendrimin dhe përkushtimin që gjithmonë e kemi pasur për Ukrainën”, tha ai asokohe.
SHIKONI EDHE: Austin dhe Blinken i kërkojnë Senatit t’i miratojë ndihmat për Ukrainën dhe IzraelinPor, shumë ukrainas janë të shqetësuar.
Presidenti Volodymyr Zelensky, e ka pranuar në fillim të nëntorit se ka lodhje nga lufta në Ukrainë. “Po, shumë njerëz në botë janë të lodhur, natyrisht”.
Miliona ukrainas ndihen të ngarkuar kur e kuptojnë se lufta që Rusia e nisi në vendi ne tyre nuk do të përfundojë së shpejti.
“Pavarësisht sa e frikshme mund të tingëllojë, unë po e përgatis veten për faktin se kjo luftë do të zgjatë tërë jetën time”, tha Zoya Krasovska, një 34-vjeçare nga Lviv.
Për dallim nga viti 2022, kur morali ishte i lartë pavarësisht mungesës së rrymës, ujit dhe shërbimeve të tjera, këtë vit ukrainasit përballen me frustrimin e një kundërofensive të ngadalshme dhe me mungesën e armëve të sofistikuara. Politikat e brendshme janë bërë fokus më i madh.
Postoiuk, menaxher me bazë në Holandë për fondacionin “Rruga drejt Ukrainës”, tha se ekipi priste të binte numri i donacioneve, por jo në këtë shkallë.
Prej se shpërtheu lufta Izrael-Hamas, atyre u duhet së paku dy herë kohë më shumë për të mbledhur para për ta blerë një veturë për ushtrinë – zakonisht nga 8.000 deri në 14.000 dollarë.
SHIKONI EDHE: A është lufta Izrael-Hamas mundësi apo problem për Rusinë?Përmes punës së tyre, ata i kanë mbledhur gati 147.000 dollarë – të holla me të cilat i kanë mbështetur 13 brigada me automjete të ndryshme për to.
Për herë të parë në historinë e këtij fondacioni, donacionet prej brenda Ukrainës i kanë tejkaluar ato prej jashtë vendit, theksoi ai.
“Lufta e Ukrainës për pavarësi nuk është më në agjendë, së paku tani për tani”, shtoi ai.
Ivan Bezdudnyi, një 26-vjeçar nga Kievi, është i konsumuar nga lufta në vendin e tij. Në dy vjetët e kaluara, ai i ka dokumentuar krimet e luftës së shkaktuara nga Rusia. Pak gjëra kanë ndryshuar për të personalisht prej se shpërtheu lufta në Lindjen e Mesme.
Ai nuk brengoset se rënia e interesimit do të ketë ndikim në luftën e Ukrainës për shumë kohë.
“Kur niveli i interesimit për Izraelin dhe Hamasit do të bjerë, dhe mendoj se nuk do të zgjatë shumë...niveli i vëmendjes që merrnim ne do të mbetet. Mbase jo aq i madh sa në shkurt apo mars të vitit të kaluar, por mbase më i lartë se tani”, tha ai.