Ukraina akuzon Rusinë për "vrasjen dhe torturimin" e punonjësve të Zaporizhjës

Reaktorët e Zaporizhjës. 30 gusht 2022.

Kreu i Agjencisë për Energji Bërthamore të Ukrainës, Enerhoatom, akuzoi trupat pushtuese ruse në centralin e Zaporizhjës për torturimin dhe vrasjen e disa punonjësve dhe për rrëmbimin e 200 pjesëtarëve të stafit.

Presidenti i Enerhoatom, Petro Kotyn, i tha gazetës gjermane Funke se ai nuk e di se ku gjenden disa prej punonjësve të rrëmbyer.

Këto akuza vijnë në kohën e raportimeve për granatime të reja përreth gjashtë reaktorëve të centralit, teksa komuniteti ndërkombëtar ka shprehur shqetësimet për një katastrofë të mundshme bërthamore.

Kotyn tha se forcat pushtuese po kontrollojnë stafin e centralit për të kuptuar se besnikë të cilit shtet janë. Ai tha se të gjitha këto abuzime e kanë bërë shumë të vështirë për 1.000 punëtorët që ende gjenden në Zaporizhja, që të operojnë me këtë central, që është më i madhi në Evropë.

*Video: Mundësia e ndonjë fatkeqësie bërthamore në Zaporizhja

Your browser doesn’t support HTML5

A mund të përsëritet Çernobili në Zaporizhja?

Afër 11.000 persona punonin në Zaporizhja para se centrali të binte nën kontrollin rus në mars të këtij viti, disa ditë pasi Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore raportoi gjatë kësaj jave se inspektimi i fundit në Zaporizhja tregoi se në këtë central ka një situatë të paqëndrueshme dhe duhen ndërmarrë “masa urgjente” për të shmangur një aksident bërthamor.

SHIKONI EDHE: Inspektorët ndërkombëtarë kërkojnë marrjen e masave “urgjente” në Zaporizhja

Kjo agjenci ka paralajmëruar se mungesa e stafit dhe stresi me të cilin përballen punëtorët, rrezikojnë që të shkaktojnë edhe probleme në operimin e centralit.

Dy prej 14 inspektorëve të OKB-së po vazhdojnë të qëndrojnë në Zaporizhja për të monitoruar situatën e sigurisë.

Më 7 shtator, Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore tha se “granatimet kanë dëmtuar linjat elektrike të Zaporizhjës”, duke shtuar se këto dëme minojnë sigurinë bërthamore në këtë uzinë.