Ukraina raporton për viktima nga sulmet ruse

Ushtria ukrainase duke sulmuar me mortajë pozicionet ruse afër Bahmutit. Fotografi nga arkivi.

Nëntëdhjetë e tetë beteja ushtarake janë zhvilluara mes trupave ukrainase dhe ushtrisë pushtuese ruse gjatë 24 orëve paraprake, tha ushtria ukrainase mëngjesin e 27 janarit, duke shtuar se Rusia ka kryer po ashtu disa sulme me raketa, duke shkaktuar viktima në mesin e civilëve.

“Ka të vdekur dhe të plagosur në mesin e popullatës civile”, tha Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Megjithatë, në njoftimin e Shtabit nuk u dhanë më shumë detaje për viktimat.

Sipas Shtabit të Përgjithshëm, forcat ruse kryen tetë sulme me raketa dhe katër sulme ajrore si 78 sulme me sisteme raketore. Sulmet u kryen ndaj pozicioneve të ushtrisë ukrainase dhe zonave të banuara dhe sipas Shtabit, dronët Shahed – të prodhimit iranian – dhe raketat balistike Iskander janë përdorur në sulme.

Një numër “i ndërtesave të banimit, shkollave, çerdheve, qendrave tregtare dhe infrastrukturës tjetër civile janë shkatërruar apo dëmtuar” nga sulmet e fundit ruse, u tha në njoftimin e ushtrisë ukrainase.

“Mbi 120 vendbanime janë sulmuar në rajonet e Çernihivit, Sumit, Harkivit, Luhanskut, Donjeckut, Zaporizhjës, Dnipropetrovskit, Hersonit dhe Mikolajivit”, u tha në njoftim.

Ushtria ukrainase po ashtu tha se forcat e saj kanë zmbrapsur dhjetëra sulme ruse në tetë drejtime, përfshirë në Avdijivka, Bahmut, Marjinka dhe Kupjansk, në provincën lindore të Donjeckut.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Ukraina varet shumë nga ndihmat ushtarake që i japin partnerët e saj perëndimorë për të luftuar kundër forcave ruse.