Ukraina thotë se ia ka goditur Rusisë edhe një luftanije

Dy anije të flotës ruse në Gjirin e Sevastopol. Fotografi nga arkivi.

Ukraina ka thënë se marina e saj e ka goditur edhe një anije të flotës ruse në Detin e Zi.

Marina ukrainase e goditi anijen e shpëtimit Kommuna në qytetin e madh të Krimesë së okupuar, Sevastopol, tha zëdhënësi i marinës ukrainase, Dmytro Pletenchuk, më 21 prill.

“Shkalla e dëmeve është duke u verifikuar”, tha Pletenchuk në Facebook.

Ndërkohë, Mikhail Razvozhayev, guvernatori i vendosur nga Rusia në gadishullin ukrainas që Moska e uzurpoi më 2014, tha se është zmbrapsur një sulm “raketor” ndaj një luftanijeje ruse.

SHIKONI EDHE: Ukraina nuk ka marinë, por po dërrmon Rusinë në Detin e Zi

“Rënia e copëzave shkaktoi zjarr të vogël, i cili u shua shpejt”, tha Razvozhayev në Telegram.

Prej fillimit të pushtimit rus të Ukrainës më 2022, forcat e Kievit kanë arritur të fundosin anijet kyçe të marinës ruse, sikurse luftanijet Moska dhe Sergei Kotov, e të tjera. Disa anije të tjera janë dëmtuar.

Shumica e anijeve të marinës ruse, që gjendeshin në bazën në Sevastopol të Krimesë të aneksuar paligjshëm nga Moska, janë zhvendosur në Novorusia.

Ukraina e sulmon flotën ruse me dronë detarë dhe raketa lundruese, dhe ka pretenduar se deri më tani ka shkatërruar një të tretën e anijeve të marinës së Rusisë.