Ukraina thotë se Rusia lëshoi një raketë balistike ndërkontinentale gjatë natës, duke shënjestruar qytetin Dnipro në pjesën qendrore-lindore të vendit. Kjo është hera e parë që Moska përdor një raketë të tillë gjatë luftës.
Raportimet e Forcës Ajrore të Ukrainës për sulm rus me raketë balistike ndërkontinentale pasuan sulmet e Ukrainës me raketa amerikane dhe britanike ndaj objektivave brenda Rusisë këtë javë, pavarësisht paralajmërimeve nga Moska se një veprim të tillë do ta konsideronte si përshkallëzim të madh në luftën 33-muajshe.
Forca Ajrore e Ukrainës, mëngjesin e 21 nëntorit, tha se trupat ruse sulmuan Dnipron me lloje të ndryshme raketash, duke përfshirë edhe lëshimin e një rakete balistike ndërkontinentale.
Rusia, e cila e pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022, nuk komentoi menjëherë mbi deklaratën e Forcave Ajrore.
Rusia, gjithashtu, lëshoi një raketë hipersonike Kinzhal dhe shtatë raketa lundruese Kh-101, nga të cilat gjashtë u rrëzuan, tha Forca Ajrore e Ukrainës.
Raketat balistike ndërkontinentale (ICBM) janë armë strategjike të dizajnuara për të shpërndarë koka bërthamore dhe janë një pjesë e rëndësishme e mbrojtjes bërthamore të Rusisë.
SHIKONI EDHE:
Arsenali bërthamor rus: Sa i madh është dhe kush e kontrollon?Një garë e re armësh në horizontUkrainasit nuk specifikuan se çfarë lloj koke kishte raketa apo çfarë tipi rakete ishte. Nuk ka asnjë sugjerim nëse ajo ishte e pajisur me armë bërthamore.
Sipas autoriteteve lokale, një ndërmarrje industriale u dëmtua në Dnipro për shkak të goditjes, dhe dy zjarre shpërthyen gjithashtu në qytet.
Kryetari i Bashkisë së Dnipros, Borys Filatov, shtoi se ndërtesa e Qendrës për rehabilitimin e personave me aftësi të kufizuara u dëmtua nga bombardimet.
SHIKONI EDHE: A i rriti gjasat për përdorimin e armëve bërthamore ndryshimi i doktrinës së Kremlinit?Ky zhvillim ndodh ndërsa lufta ka marrë një dimension gjithnjë e më ndërkombëtar me mbërritjen e trupave të Koresë së Veriut për të ndihmuar Rusinë në fushën e betejës.
Një ditë më parë, Ambasada e SHBA-së në Ukrainë raportoi se kishte marrë "informacione specifike" për një sulm të mundshëm të rëndësishëm ajror rus më 20 nëntor. Si masë paraprake, Ambasada u mbyll. Më pas, misionet diplomatike të Spanjës, Italisë dhe Greqisë njoftuan gjithashtu mbylljen për vizitorët më 20 nëntor.