Ukraina tha se ushtria e saj ka zmbrapsur dhjetëra sulme ruse gjatë ditës së kaluar, teksa aleatët perëndimorë të Kievit diskutuan për të fortifikuar aftësitë e tij të mbrojtjes ajrore, para nisjes së kundërofensivës ukrainase, të planifikuar për në pranverë.
Ushtria ukrainase tha se ka “zmbrapsur 53 sulme ruse në Bahmut, Avdijivka, Marijinka dhe Shahtar”, që gjenden në lindje të shtetit, tha Shtabi i Përgjithshëm më 22 prill.
Ushtria ruse ka kryer 30 sulme ajrore dhe tri me raketa, dhe ka kryer 50 sulme me raketahedhës në 24 orët e fundit, tha ushtria ukrainase.
Ky njoftim i ushtrisë ukrainase vjen pasi dhjetëra shtete që e mbështesin Kievin në luftën kundër forcave pushtuese ruse u mblodhën në Gjermani më 21 prill për të diskutuar për ndihmën e mëtejme ushtarake për Ukrainën.
SHIKONI EDHE: Ukraina pranon sisteme PatriotShefi i ushtrisë amerikane gjenerali, Mark Milley, tha se tani “detyra kryesore ushtarake” është sistemi i mbrojtjes ajrore i Ukrainës, duke shtuar se qëllimi është që ky sistem të bëhet më i fortë.
Ai tha se mbrojtja ajrore ishte tema kryesore e takimit të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, që u mbajt në bazën ajrore Ramshtajn në Gjermani.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se aleatët e Kievit besojnë se Ukraina ka nevojë urgjente për aftësi të mbrojtjes ajrore.
Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës përbëhet nga përfaqësuesit e rreth 50 shteteve që ofrojnë mbështetje ushtarake për Ukrainën.
Ministria e Jashtme ruse reagoi për takimin në Gjermani duke paralajmëruar për një garë “të pakontrolluar” armësh. Ministria shtoi se Moska duhet të rrisë aftësitë e saj të raketave taktike.
Austin konfirmoi se SHBA-ja planifikon të dërgojë në Gjermani në javët në vijim tanke Abrams, duke shtuar se ushtarët ukrainas do të trajnohen se si do t’i përdorin ato.