Ukraina, më afër marrjes së lejes për sulme me armë me rreze të gjatë

Raketa ATACMS të SHBA-së. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, për muaj të tërë po u lutet Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë që t’i japin të drejtë që të përdorë raketat e tyre me rreze të gjatë veprimi për të sulmuar thellë brenda Rusisë.

Ai, më në fund duket se është afër arritjes së këtij qëllimi.

Javëve të fundit ka pasur një momentum lidhur me heqjen e këtyre kufizimeve, para se të mbahej një takim kyç mes presidentit amerikan, Joe Biden, dhe kryeministrit britanik, Keir Starmer, në Uashington më 13 shtator. Dy liderët pritej të diskutonin mbi mbështetjen për Ukrainë, por jo edhe që zyrtarisht të njoftonin për ndryshim të kësaj politike.

Por, vetë takimi dhe informacionet e tjera të raportuara gjatë javës dhanë pamjen se diçka po ndodhte. I pyetur më 11 shtator nëse ai do të hiqte kufizimin për përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi, Biden tha “ne po punojmë për këtë”, duke sinjalizuar një ndryshim të mundshëm në qëndrimin e tij. Deklarata erdhi pasi shumë anëtarë të Kongresit amerikan, përfshirë edhe nga Partia e tij Demokratike, i bënë thirrje presidentit që të zbuste politikën e tij.

SHIKONI EDHE: Biden: SHBA po punon për t’ia hequr Ukrainës kufizimin e përdorimit të armëve me rreze të gjatë

“Pres që së shpejti të shohim një njoftim për lehtësimin e kufizimeve. Ka pasur një intensifikim të jashtëzakonshëm drejt kësaj dhe do të ishte shumë e vështirë që të ketë një tërheqje”, tha për Radion Evropa e Lirë, Mark Cancian, analist ushtarak në Qendrën për Studime Strategjike dhe Institucionale.

“Dyshoj se SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar po përcaktojnë kushtet, veçmas sa i përket caqeve, sepse ata do të duan të kufizojnë sulmet vetëm në caqe ushtarake, në mënyrë që të shmangen viktimat civile”.

Caqet e mundshme të lejuara për sulme me rreze të gjatë veprimi do të përfshinin bazat ajrore, qendrat logjistike, depotë dhe selitë, tha ai.

Që nga fillimi i këtij viti, Ukraina vazhdimisht ka goditur asetet energjetike të Rusisë, në veçanti rafineritë e naftës dhe objektet e magazinimit, me dronët e saj që i ka prodhuar vetë, që kanë rreze të gjatë veprimi. Edhe pse ato janë caqe legjitime ushtarake brenda Rusisë, administrata Biden nuk ka shprehur mbështetje për sulme të tilla.

Gazeta britanike, Guardian, raportoi më 12 shtator se Londra veçse i ka dhënë dritën e gjelbër Ukrainës që të përdorë raketat e saj lundruese, Storm Shadow – të cilat mund të udhëtojnë deri në 250 kilometra – për sulme me rreze të gjatë veprimi thellë brenda territorit rus. Londrës i duhet të marrë leje nga Uashingtoni për këtë, pasi raketat kanë pjesë amerikane.

SHIKONI EDHE: Raportohet se Britania i ka dhënë leje Ukrainës për sulme thellë brenda Rusisë

Duke i dhënë leje Ukrainës për përdorimin e Sistemit Raketor Taktik Ushtarak (ATACMS) – një raketë e fuqishme hipersonike, balistike, që mund të udhëtojë deri në 300 kilometra – për të shkatërruar asetet e ushtrisë ruse larg nga vija e frontit, do të ishte në linjë me modelin e vendosur nga administrata Biden që nga nisja e pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Administrata Biden fillimisht kishte refuzuar kërkesën e Ukrainës për tanket Abrams, për avionët luftarakë F-16 ,për Sistemin raketor të artilerisë me lëvizshmëri të lartë (HIMARS) dhe ATACMS, pjesërisht për shkak të shqetësimit se Rusia mund t’i shihte si provokim. Biden përfundimisht u dorëzua para këtyre kërkesave, pas rritjes së presionit nga Ukraina, aleatët dhe nga presioni brenda SHBA-së.

Më herët gjatë këtij viti, teksa forcat ruse u përqendruan pranë kufirit me qëllim që të ripushtonin Harkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, administrata Biden zbuti politikën e saj dhe i lejoi Ukrainës që të përdorte raketat ATACMS për të sulmuar në zonat kufitare në Rusi, por jo thellë brenda territorit rus.

Bombat rrëshqitëse

Thirrja për lehtësimin e kufizimeve sa i përket sulmeve me rreze të gjatë veprimi është rritur gjatë këtij viti, përderisa Rusia po vazhdon të terrorizojë trupat ukrainase dhe qytetet përmes sulmeve me bombat e fuqishme rrëshqitëse, që vështirë detektohen nga radarët. Në qershor, Zelensky tha se Rusia po gjuante në Ukrainë deri në 3.000 bomba rrëshqitëse në muaj.

Sulmet nga ajri i pozicioneve ukrainase u ka mundësuar trupave tokësore ruse – megjithëse me kosto të madhe me jetë dhe pajisje – të fitojnë territor, duke kërcënuar qytetet kyçe logjistike, sikurse Pokrovsku.

Mbrojtja më e mirë kundër bombave rrëshqitëse është duke i shkatërruar avionët që i lëshojnë ato dhe duke i larguar këta avionë nga vijat e frontit, diçka që mund të arrihet duke sulmuar bazat ajrore, thanë ekspertët.

Por, Cancian pajtohet me deklaratën që bëri javën e kaluar sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, i cili tha se lehtësimi i kufizimeve nuk do të ndryshojë rrjedhën e luftës në favor të Ukrainës.

SHIKONI EDHE: Ukraina e vazhdon trysninë për armët me rreze të gjata, për t’i ndalur sulmet ajrore ruse

Cancian vuri në pah ndikimin e kufizuar që kanë pasur deri më tani armët perëndimore me rreze të gjatë veprimi në Krimenë e kontrolluar nga Rusia. Ukraina ka goditur me këto armë bazat ajrore dhe asete të tjera ushtarake të Rusisë në këtë gadishull. Përderisa, sulmet kanë dobësuar aftësitë e Moskës, ato nuk kanë qenë vendimtare për luftën, tha ai.

Ai shtoi se përdorimi i raketave precize me rreze të gjatë veprimi brenda Rusisë do ta bënte më të vështirë për Moskën që të kryejë sulme me bomba rrëshqitëse dhe do ta detyronte që të shpërndante selitë ushtarake dhe qendrat logjistike, duke bërë që operacioni i saj ushtarak të ishte më pak efikas.

“Nuk do ta ndryshonte lojën, por do të ndihmonte”, tha ai.

Kërcënimet e Putini

Teksa u rrit momentumi gjatë kësaj jave lidhur me lehtësimin e kufizimeve, presidenti rus, Vladimir Putin, bëri paralajmërimin e tij të fundit ndaj Perëndimit lidhur me mbështetjen e Ukrainës. Ai tha se do ta shihte ndryshimin e një politike të tillë si “pjesëmarrje të drejtpërdrejtë” të shteteve të NATO-s në luftën në Ukrainë. Megjithatë, ai nuk tregoi se si do të reagonte.

Më 2022, Putin kishte lënë të kuptohej se do të përdorte armë taktike bërthamore, deklaratë që nxiti një përgjigje të menjëhershme negative në mbarë botën, përfshirë edhe nga vendet mike, sikurse India. Më herët gjatë këtij viti, pas ndryshimit të fundit të politikës së SHBA-së, Putin tha se Rusia mund të furnizojë me armë vdekjeprurëse kundërshtarët perëndimorë.

SHIKONI EDHE: Putin: Perëndimi futet në luftë me Rusinë, nëse e lejon Kievin t’i përdorë armët me rreze të gjata

Deklarata të tilla të Putinit kanë ndikuar që administrata Biden të ketë një qasje të kujdesshme sa i përket furnizimit të Ukrainës me armë gjithnjë e më të sofistikuara, sikurse janë avionët luftarakë F-16, me raketa me rreze të gjatë veprimi dhe sa i përket lejimit të kryerjes së sulmeve brenda Rusisë. Disa ekspertë argumentojnë se kërcënimet e Putinit janë boshe, duke thënë se ai asnjëherë deri më tani nuk e ka çuar deri në fund ndonjë kërcënim dhe SHBA-ja nuk duhet t’i marrë parasysh këto kërcënime.

David Kramer, i cili ka shërbyer si ndihmëssekretar i Shtetit për Demokracinë, të Drejtat e Njeriut nga 2008 deri më 2009, gjatë një konference më 12 shtator deklaroi se Putini po e përdor kërcënimin bërthamor për të minuar vendosmërinë e Perëndimit.

“Realisht, unë paralajmëroj kundër mbivlerësimit të mundësisë së përshkallëzimit bërthamor. Kjo është ajo që Putini dëshiron që ne të mendojmë. Le të mos biem pre e këtij provokimi”, tha Kramer, ekspert për Rusinë, i cili është drejtor ekzekutiv i Institutit George W.Bush.

Përgatiti: Mimoza Sadiku