Forcat detare ukrainase kanë sulmuar një kompleks të sistemeve raketore ruse, S-300, në rajonin rus të Rostovit, njoftoi Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës më 21 gusht.
Ky njoftim vjen në kohën kur Rusia po tenton që të zmbrapsë inkursionin që Ukraina nisi dy javë më parë në rajonin rus të Kurskut, që gjendet në kufi me Ukrainën.
Ukraina thotë se ka marrë nën kontroll më shumë se 1.260 kilometra katrorë dhe 92 vendbanime. Udhëheqja ukrainase ka thënë se inkursioni synon krijimin e një zone neutrale brenda Rusisë, me qëllim që të mnrojë civilët ukrainas nga granatimet ruse përtej kufirit.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se sulmet ndaj kompleksit të raketave të llojit S-300 afër vendbanimit të Novoshahtinskit në rajonin e Rostovit u mkrye nga njësitë detare të ushtrisë. Sipas Shtabit po vlerësohen pasojat e këtij sulmi.
“Pushtuesit rusë po ashtu përdorin raketa S-300 për të sulmuar qytetet paqësore ukrainase, duke shkatërruar ndërtesa banimi dhe duke terrorizuar popullatën civile”, tha Shtabi i Përgjithshëm.
SHIKONI EDHE: Ukraina kreu “një nga sulmet më të mëdha” ndaj MoskësNdaras, guvernatori rajonal i Rostovit, tha se një raketë ukrainase është rrëzuar mbi rajon. Ai nuk dha më shumë detaje.
Sulmet ukrainase në bazën ushtarake ruse vijnë në ditën kur autoritetet në Moskë kanë njoftuar për një sulm me dronë drejt kryeqytetit rus. Autoritetet ruse pretenduan se rrëzuan 11 dronë mbi Moskë. Ukraina, që përballet me pushtimin e nisur nga Rusia në shkurt të vitit 2022, nuk ka komentuar për këto raportime.