Ukraina e shënon Ditën e Pavarësisë teksa lufta mbush 30 muaj

Ukrainasit qëndrojnë përballë flamujve kombëtarë për nderimin e ushtarëve të rënë ukrainas në Sheshin Pavarësia, në Kiev, më 1 korrik.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka vënë në pah qëndresën heroike të popullit të tij përballë pushtimit të paprovokuar nga Rusia, teksa vendi feston Ditën e Pavarësisë më 24 gusht.

Kjo datë gjithashtu shënon edhe 30-mujorin e luftës tragjike.

“Pavarësinë e ndiejmë secili nga ne. Dhe, të bashkuar, ne mund të fitojmë...Ne i bëmë ballë, e frenuam dhe e zmbrapsëm armikun, dhe tani jemi duke e fundosur. Ne e dimë çfarë është pavarësia, sa e vështirë është ta ringjallësh atë, sa e vështirë është ta mbrosh atë. Por, ne e dimë gjithashtu se çdo gjë varet nga ne”, tha Zelensky.

Ukrainasit po e festojnë pavarësinë në një kohë kur forcat ukrainase po kryejnë një inkursion befasues në rajonin Kursk të Rusisë, në kufi me Ukrainën. Kievi thotë se tani i ka nën kontroll 92 vendbanime dhe 1.260 kilometra katrorë territor rus.

Ukraina thotë se inkursioni, i cili e zuri në befasi Moskën dhe i tronditi udhëheqësit elitarë të Rusisë, ka për qëllim krijimin e një zone të sigurisë brenda Rusisë, për t’i mbrojtur civilët ukrainas nga bombardimet ruse nga matanë kufirit.

SHIKONI EDHE: Shkatërrimi i urave: Ukraina e zgjeron ofensivën, Rusia i afrohet qytetit në Donbas

Udhëheqësit e Ukrainës kanë sqaruar vazhdimisht se inkursioni nuk synon kapjen e territorit rus, për dallim nga Rusia që e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022, saktësisht para dy vjetëve e gjysmë.

“Duhet ta kemi patjetër një kufi të fuqishëm mes nesh dhe armikut, dhe jo mure midis ukrainasve, sepse Ukraina është e jona”, tha Zelensky.

Zelensky gjithashtu e paralajmëroi tërthorazi presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, se lufta e tij do të dështojë, duke thënë se “gjyshi i sëmur nga Sheshi i Kuq... nuk do të na i diktojë vijat e tij të kuqe”.

“Vetëm Ukraina dhe ukrainasit do të vendosin vetë se si jetojmë ne, se çfarë rruge zgjedhim dhe çfarë vendimesh marrim. Sepse kështu e ka pavarësia”, shtoi ai.

Derisa inkursioni i Ukrainës po vazhdon në Kursk, Rusia, në anën tjetër, është duke e shtyrë përpara një ofensivë në rajonin lindor të Ukrainës, Donjeck, pasi synon ta kapë Pokrovskun.

Your browser doesn’t support HTML5

Moska thotë se Ukraina ka nën kontroll dhjetëra vendbanime ruse

Ukraina është duke i sulmuar objektet e naftës dhe karburantit brenda Rusisë, të cilat punojnë për ushtrinë ruse, pasi Moska për vite e ka rrënuar infrastrukturën energjetike të Ukrainës me sulme me dronë.

Dronët ukrainas kryen një sulm mëngjesin e 24 gushtit në rajonin Voronezh të Rusisë, duke ia vënë flakën një depoje të municionit.

Guvernatori rajonal Aleksandr Gusev shkroi në Telegram se zjarri u shkaktua nga rënia e copëzave të dronit dhe nxiti shpërthimin e municionit. Ai tha se nuk ka viktima.

Edhe rajoni i Belgorodit u sulmua nga dronët gjatë natës, tha guvernatori rajonal Vyacheslav Glakov, i cili shtoi se dy njerëz u plagosën.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se pesë dronë u rrëzuan mbi Voronezh dhe nga një dron mbi rajonet Belgorod dhe Briansk.