Ukraina dhe Rusia këmbejnë rreth 100 të burgosur

Këmbimi i të burgosurve. Ukrainë, 23 nëntor 2022.

Ukraina dhe Rusia kanë këmbyer rreth 100 të burgosur, nga 50 prej secilës palë.

Këmbimi u bë më 24 nëntor.

Kreu i zyrës presidenciale ukrainase, Andriy Yermak, konfirmoi së 50 të burgosurit e kthyer ukrainas janë edhe të mbijetuar nga rrethimi i fabrikës së hekurit dhe çelikut, Azovstal.

Ministria ruse e Mbrojtjes dhe kreu i separatistëve të mbështetur nga Rusia në rajonin e Donjeckut, Denis Pushilin, konfirmuan se forcat ukrainase i kishin dorëzuar palës ruse 50 të burgosur.

Ky këmbim u bë një ditë pas një tjetër këmbimi që ndodhi mes Kievit dhe Moskës, ku 36 persona - 35 ushtarë dhe një civil - u kthyen në Ukrainë, dhe 35 ushtarë rusë u riatdhesuan.

Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) tha më 15 nëntor se Rusia dhe Ukraina kanë torturuar të burgosur të luftës gjatë konfliktit gati nëntëmujor mes tyre.

SHIKONI EDHE: OKB: Edhe Rusia, edhe Ukraina torturuan të burgosur

Rusia dhe Ukraina kanë këmbyer një numër të madh të të burgosurve të luftës – pothuajse 300 persona – më 21 shtator. Ky është këmbimi më i madh të burgosurve që nga nisja e luftës.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.