"Diell flakërues": Ukraina ndëshkon forcat e Moskës me raketa të kapura ruse
Forcat ukrainase duke përdorur një raketahedhës të rëndë termobarik TOS-1A Solntsepyok, kundër pozicioneve ruse, në afërsi të Kreminës, në rajonin e Luhanskut, më 7 korrik. Armën ruse e kapi Batalioni Da Vinci i ushtrisë ukrainase.
Ushtria ukrainase njoftoi se beteja të ashpra janë duke u zhvilluar në shumë lokacione, në vijën e frontit, përderisa Kievi po vazhdon kundërofensivën e tij në jug.
Një ushtar ukrainas duke përgatitur mjetin e kapur rus. Në shenjë kujtimi të komandantit të batalionit, Dmytro Kotsyubaylo, i cili u vra në betejë, mbi armë janë shkruar fjalët "Da Vinci".
Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Hanna Malyar, deklaroi se forcat ukrainase po konsolidojnë arritjet e tyre në drejtimet jugore, Melitopol dhe Berdjansk, ku po zhvillohen “beteja të nxehta".
Një ushtar ukrainas duke bërë rojë pranë mjetit të kapur rus.
"Trupat tona po kryejnë vëzhgime ajrore dhe çminim të zonës, duke përdorur gjithashtu zjarr artilerie ndaj objektivave të identifikuara të armikut", tha Malyar në Telegram.
Raketahedhësi vendoset mbi tankun luftarak T-72 ose një automjet të ngjashëm të blinduar. Ai përmban 24 tuba, që mund të lëshojnë raketa 220-milimetërshe, të mbushura me një përzierje termobarike tejet shpërthyese.
Pajisja ka një rreze efektive veprimi prej rreth 6 kilometrash. Kombinimi i nxehtësisë së madhe, i shpërthimit dhe dridhjes së prodhuar nga raketa termobarike është veçanërisht e fuqishme kundër pozicioneve të shtrënguara.
Pasqyrimi i një polici ukrainas në një dritare, teksa njësiti përgatitet të gjuajë drejt pozicioneve ruse pranë Kreminës.
Një polic ukrainas duke përkëdhelur një mace, në vijën e frontit afër Kreminës.
Përveç me flakëhedhësin e rëndë, usharët ukrainas, po ashtu, po godisnin një pozicion rus pranë Kreminës me një top D-30.
Në rajonin lindor të Donjeckut, forcat ruse janë në defensivë në Bahmut, tha zëvendësministrja e Mbrojtjes, Malyar.
Luftime të ashpra po zhvillohen edhe në Liman, Avdijivka dhe Marjinka, njoftoi Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase.