Dimri mund të sjellë mundësi diplomatike për Rusinë dhe Ukrainën

Ushtarë ukrainas në rajonin e Harkivit.

gati nëntë muaj luftë, mbështetja e Perëndimit i ka ndihmuar Ukrainës të rikthejë territore dhe t’u shkaktojë dëme të mëdha forcave pushtuese ruse.

Vetëm Shtetet e Bashkuara kanë dërguar në Kiev armatime, mbështetje financiare dhe ndihma të tjera në vlerë prej mbi 60 miliardë dollarësh.

Ndonëse disa politikanë në Uashington kanë shprehur dyshime për mbështetjen e pafundme, presidenti Joe Biden është zotuar se ajo do të vazhdojë, por pa rrezikuar përfshirjen direkte të SHBA-së në fushëbetejë.

“Nuk do të hyjmë në Luftën e Tretë Botërore, duke rrëzuar avionët rusë dhe duke u angazhuar drejtpërdrejt. Por, a do t’i sigurojmë [Ukrainës] kapacitete racionale për t’u mbrojtur? Po”, ka thënë Biden.

Your browser doesn’t support HTML5

I fiksuar pas Ukrainës: Si erdhi deri te pushtimi?

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka dhënë urdhër për mobilizimin e mijëra ushtarëve të rinj, për bombardimin e vendbanimeve civile dhe të infrastrukturës kritike të Ukrainës. Për më tepër, ai ka paralajmëruar se lufta nuk do të përfundojë me kapitullimin rus dhe ka bërë kërcënime të maskuara bërthamore kundër Perëndimit.

Në fund të muajit të kaluar, Putin ka vëzhguar disa stërvitje ushtarake, që kanë përfshirë nëndetëse bërthamore dhe raketa balistike. “Ka rreziqe dhe sfida të reja për sigurinë tonë kolektive”, ka thënë ai, por nuk ka specifikuar më shumë.

Mediat amerikane kanë zbuluar në fillim të këtij muaji se zyrtarët ushtarakë rusë kanë diskutuar se kur dhe si mund të përdorin armë bërthamore taktike në Ukrainë. Rusët nuk kanë komentuar, ndërsa zyrtarët amerikanë kanë thënë se nuk ka shenja se ata po bëjnë përgatitje të tilla.

Deklarimet publike të zyrtarëve perëndimorë, në përgjithësi, janë se rreziku nga sulmet bërthamore është ende i ulët, por se ata i marrin seriozisht këto kërcënime.

SHIKONI EDHE: Ukraina thotë se nuk ka presion për negociata me Rusinë

Më 6 nëntor, gazeta amerikane Wall Street Journal ka raportuar se këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, ka zhvilluar bisedime konfidenciale me homologun rus, Nikolai Patrushev, për të parandaluar përshkallëzimin e luftës në Ukrainë në konflikt bërthamor.

Sullivan ka konfirmuar se kanalet e komunikimit midis SHBA-së dhe Rusisë mbeten të hapura, por nuk ka dhënë shumë detaje.

“Mendoj se është përgjegjësi e jona që t’i mbajmë linjat e komunikimit hapur, madje edhe me armiqtë tanë, në mënyrë që të përpiqemi t’i shmangim rezultatet më të këqija të mundshme”, ka thënë Sullivan.

SHIKONI EDHE: Bisedimet me Kremlinin, “në interes” të SHBA-së

Paraprakisht, gazeta Washington Post ka raportuar se administrata Biden është duke u kërkuar udhëheqësve të Ukrainës që të tregohen të hapur ndaj negociatave me Rusinë, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se është i gatshëm për “bisedime të sinqerta të paqes” me Rusinë, por me disa kushte, që do të përfshinin: kthimin e kontrollit të Ukrainës mbi territoret e saj dhe sjelljen para drejtësisë të autorëve të krimeve të luftës.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se Rusia “mbetet e hapur” për bisedime, por se e ka të pamundur të negociojë me Ukrainën, për shkak të refuzimeve të saj.

Disa vëzhgues të situatës thonë se është koha që Rusia dhe Ukraina të sillen në tryezën e bisedimeve. Charles Kupchan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se lufta në Ukrainë është duke u përshkallëzuar me ritëm të rrezikshëm dhe se të gjitha palët, përfshirë SHBA-në, duhet të angazhohen në gjetjen e një fundi diplomatik.

“Unë jam i shqetësuar për një luftë që vazhdon të shkaktojë vdekje dhe shkatërrime; për një luftë që përbën rrezik serioz të përshkallëzimit. Ne nuk jemi edhe aq larg luftës midis NATO-s dhe Rusisë dhe unë mendoj se ne duam ta shmangim këtë. Po ashtu, shohim efekte afatgjate politike dhe ekonomike të luftës në të gjithë botën. Mungesa ushqimesh, inflacion, çmime të larta, rritje e mundshme e populizmit në Evropë. Pushtetin në Itali tashmë e ka marrë një qeveri e ekstremit të djathtë. Andaj, duhet të mendojmë për kohën dhe rrethanat e një fundi diplomatik”, thotë Kupchan.

Në Ukrainë, pavarësisht bombardimeve gati të përditshme, disponimi është ndryshe. Një sondazh i opinionit, i bërë në fund të tetorit nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë në Kiev, ka treguar se 86 për qind e ukrainasve të anketuar mendojnë se vendi i tyre duhet të vazhdojë të luftojë dhe jo të bisedojë me Rusinë. Sipas sondazhit, vetëm një në dhjetë ukrainas mendon se palët ndërluftuese duhet t’i fillojnë bisedimet, edhe nëse paqja nënkupton koncesione territoriale.

Video: Çështja e negociatave me Rusinë, “varet nga Ukraina”

Kupchan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë, thotë se, tash për tash, as Ukraina, as Rusia nuk janë të gatshme për bisedime, për shkak të sukseseve që mendojnë se mund t’i arrijnë në fushëbetejë. Por, sipas tij, situata mund të ndryshojë së shpejti.

“Zakonisht, lëvizja nga fushëbeteja në tryezën e bisedimeve ndodh kur palët rraskapiten, kur ka ndonjë ngërç ose kur vlerësohet se nuk mund të arrihet më shumë përparim duke luftuar. Nuk jemi ende në këtë pikë. Por, mund të pritet që me fillimin e dimrit, palët të thonë se e kanë të vështirë të luftojnë, për shkak të borës dhe të ftohtit, dhe ndoshta duhet të shqyrtojmë armëpushimin”, thotë Kupchan.

Muajin e kaluar, 30 ligjvënës demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA i kanë dërguar një letër presidentit Biden, duke i bërë thirrje që të ndryshojë strategjinë e tij ndaj luftës në Ukrainë dhe të kërkojë negociata direkte me Rusinë. Letra, megjithatë, është tërhequr pak ditë më vonë, për shkak të kritikave të furishme që ka shkaktuar në mesin e kolegëve të tyre.

SHIKONI EDHE: Lufta në Ukrainë: Çka nëse republikanët fitojnë në Kongres?

Biden ka thënë më 9 nëntor se çështja e negociatave me Rusinë varet nga vetë Ukraina. Ai ka thënë se SHBA-ja nuk do t’u tregojë ukrainasve se çfarë duhet të bëjnë.

“Varet nga ukrainasit. Asgjë për Ukrainën pa Ukrainën”, ka thënë Biden.

Leo Michel, ish-drejtor i politikave të NATO-s në Pentagon, e vlerëson këtë qëndrim. Duke folur për Exposenë, Michel, tani bashkëpunëtor i Këshillit Atlantik, thotë se lufta duhet të përfundojë me negociata, por se kohën dhe kushtet për to duhet t’i caktojë Ukraina, si viktimë e një agresioni të paprovokuar dhe të paligjshëm.

“Unë, vërtet, nuk mendoj se ne jemi në një fazë kur SHBA-ja po përpiqet ta detyrojë Ukrainën të bëjë koncesione ose të hyjë në negociata që Ukraina nuk është e gatshme t’i bëjë. Sepse për Ukrainën, kjo luftë është për çështje ekzistenciale. Derisa dy palët [ndërluftuese] nuk vlerësojnë se është koha për t’i nisur negociatat, unë nuk mendoj se SHBA-ja do të përpiqet t’i nxisë ukrainasit të bëjnë lëshime, vetëm sa për t’i nisur bisedimet”, thotë Michel.

Video nga arkivi i REL-it: Qytetarë të Moskës flasin për të ardhmen e luftës

Your browser doesn’t support HTML5

"Vetëm Putini do të ngelë në bunkerin e tij"

I pyetur se kur do të mund të uleshin palët në tryezën e bisedimeve, ose çfarë do t’i çonte ato aty, Michel thotë se nuk mund të flasë për afate kohore.

“Lufta është e paparashikueshme. Kur dëgjoj deklaratat e presidentit rus, ai duket shumë i përkushtuar në këtë luftë. Rusët po kryejnë sulme nga distanca të gjata... me dronë, me avionë, me raketa... dhe po vazhdojnë të shkaktojnë shumë dëme dhe shumë viktima në Ukrainë. Është tragjike”, thotë Michel.

Me sa duket, të dyja palët po përpiqen të përfitojnë sa më shumë në terren, për të qenë në gjendje të diktojnë kushtet e bisedimeve. Morali i forcave ukrainase është rritur sërish këtë javë, kur Rusia ka urdhëruar forcat e saj të tërhiqen nga qyteti jugor i Hersonit.

Sipas disa vëzhguesve, Putin po ashtu llogarit se Perëndimi, nën presionin e inflacionit, çmimeve të larta të energjisë dhe jostabilitetit të brendshëm, mund të humbasë vullnetin për të vazhduar mbështetjen e Ukrainës në nivelet aktuale.

SHIKONI EDHE: Rusia “po rekruton ushtarë afganë të trajnuar nga SHBA-ja”

Rusia dhe Ukraina kanë zhvilluar disa runde bisedimesh, në javët e para të luftës. Por, ato janë ndërprerë dhe palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për mungesë serioziteti.

Sipas një hulumtimi që ka bërë Universiteti Uppsala në Suedi, vetëm 39 nga 288 konfliktet që kanë ndodhur në periudhën 1946-2005, kanë përfunduar me marrëveshje për paqe. Të tjerat kanë marrë fund me fitoren e njërës palë, ose me përfundimin e luftimeve pa marrëveshje paqeje ose pa fitore.

Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës në fund të shkurtit. Shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë amerikane, gjenerali Mark Milley, ka thënë këtë javë se SHBA-ja vlerëson se rreth 100.000 ushtarë rusë dhe 100.000 ushtarë ukrainas janë vrarë ose plagosur në luftë. Sipas tij, rreth 40.000 civilë mund të jenë vrarë po ashtu.

Gjenerali Milley, i cili shërben si këshilltari më i lartë ushtarak i presidentit Biden, ka thënë se shkalla e viktimave mund të bindë Moskën dhe Kievin që të negociojnë gjatë muajve të ardhshëm të dimrit, kur luftimet ka gjasa të ngadalësohen për shkak të të ftohtit.