Ekspertët thonë se dronët vetëvrasës të prodhuar nga Irani, të cilët po përdoren në luftën në Ukrainë, janë një shenjë se stoku i armatimit vendas të Rusisë mund të jetë varfëruar.
Imazhet dramatike të “dronëve kamikazë” duke u përplasur në qendër të Kievit, më 17 tetor, diskredituan fuqishëm mohimet e Teheranit se po furnizon me armatim luftën e Rusisë në Ukrainë.
Fotografitë treguan pamjet e dronëve Shahed-136, të cilët Rusia i ka riemërtuar si Geran-2 (Geranium-2).
Droni është i aftë të fluturojë qindra kilometra, me ndihmën e një motori të zhurmshëm, përpara se të shpërthejë në një objektiv, me saktësi relative.
Përdorimi i dronëve në Ukrainë u konfirmua për herë të parë në gusht, por breshëria e kësaj jave, kur u vranë disa civilë, mori vëmendjen e publikut.
Michael J. Boyle, profesor në Universitetin Rutgers dhe autor i një libri mbi luftën me dronë, i tha Radios Evropa e Lirë se shfaqja e dronëve si një armë kryesore kundër Ukrainës, mund të tregojë pakësimin e rezervave të Rusisë me raketa.
“Riemërtimi i dronëve Shahed nga Rusia është bërë pjesërisht për të mbuluar shkallën e varësisë së saj nga dronët iranianë - diçka që, duke pasur parasysh historinë e Rusisë si eksportuese e mbrojtjes, është e turpshme”, tha Boyle.
Eksperti i dronëve ushtarakë shtoi se mohimet publike të Teheranit për përdorimin e dronëve iranianë në Ukrainë, mund të jenë rezultat i “shqetësimeve të Rusisë për këtë situatë”.
Dronët Shahed-136 mund të nisen në grupe. Nëse shkalla e dështimit të dronëve individualë është e lartë, disa prej dronëve Shahed-136 ia dalin të arrijnë shënjestrën.
Tufat e dronëve gjithashtu shërbejnë për të shmangur mbrojtjen ajrore. Mburojat e sofistikuara të mbrojtjes ajrore mund të mposhten nga disa dronë kamikazë që vijnë në të njëjtën kohë.
Shahed-ët besohet se kushtojnë vetëm dhjetëra mijëra dollarë për njësi, që është një pjesë e vogël e çmimit të vlerësuar prej 1 milion dollarësh për raketat Kalibr të Rusisë - shumë më të shpejta dhe më shkatërruese.
Disa raportime të mediave kanë sugjeruar se dronët iranianë janë përmirësuar ndjeshëm nga Rusia, e cila, sipas tyre, ka rritur rrezen e veprimit dhe saktësinë.
Megjithatë, administratori i Caliber Obscura-s, një faqe e njohur interneti për gjurmimin e armëve, i tha Radios Evropa e Lirë se "nuk sheh ndonjë ndryshim deri tani, përveç riemërtimit".
Boyle pajtohet, duke thënë se, përtej shenjave të krahut, “ka pak prova se Rusia ka bërë modifikime thelbësore në modelin bazë iranian”.
Përdorimi shumë i dukshëm i armatimit të prodhuar nga Irani në qendrat civile në Ukrainë, vjen pasi Kremlini emëroi gjeneralin Sergei Surovikin komandant të përgjithshëm të luftës së Rusisë në shtetin fqinj. Me nofkën "Gjenerali Armageddon", ai është i njohur për qasje të pamëshirshme në luftë.
Boyle tha se breshëria e fundit e dronëve kamikazë duket se shënon "një zhvendosje në një strategji ndëshkimi" - me fjalë të tjera, "vazhdoni t'i qëlloni objektivat ushtarake dhe civile ukrainase me sulme të përsëritura me dronë, për ta ndëshkuar popullatën dhe për ta demoralizuar atë".
"Ideja [e tyre] është që, thjesht, ta mbash presionin, në mënyrë që ata të pranojnë ose nënshtrimin, ose një marrëveshje me Rusinë", tha Boyle, duke shtuar se strategjia mund të jetë vetëshkatërruese.
"Problemi është se strategjitë e ndëshkimit shpesh japin rezultat të kundërt, duke i bërë njerëzit të bashkohen - në vend që të dorëzohen".