Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha më 11 janar se forcat ukrainase "duhet të jenë gati” në kufirin me shtetin fqinj, Bjellorusinë.
“Përveç deklaratave, ne nuk shohim asgjë të fuqishme atje, por megjithatë duhet të jemi gati si në kufi ashtu edhe në rajone”, tha ai.
Këto deklarata Zelensky i bëri pas një vizite në një rajon perëndimor të Ukrainës, ku diskutoi për mbrojtjen kufitare, mes spekulimeve në lidhje me potencialin për një ofensivë ruse përmes Bjellorusisë.
Ministria e Mbrojtjes së Britanisë në përditësimin e fundit të inteligjencës ka analizuar njoftimin për ushtrime të përbashkëta ajrore midis Rusisë dhe Bjellorusisë që do të mbahen në pjesën e dytë të janarit dhe ka minimizuar rëndësinë e prezencës së re të helikopterëve të ushtrisë ruse pranë Minskut.
Duke adresuar frikën e vazhdueshme lidhur me përhapjen e luftës në Ukrainë, inteligjenca britanike tha se dislokimi i ri i avionëve rusë në Bjellorusi, që gjendet në kufi me Ukrainën, “ka të ngjarë që të jetë vërtetë për ushtrime, sesa përgatitje për ndonjë ofensivë të re kundër Ukrainës”.
SHIKONI EDHE: Britania: Avionët rusë në Bjellorusi, për ushtrime e jo për ofensivë të reRusia ka përdorur territorin e Bjellorusisë për të nisur pushtimin e Ukrainës edhe pse lideri autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, ka tentuar që të minimizojë rolin e shtetit të tij në konflikt.
Komandanti i forcave mbrojtëse të Kievit, gjenerallejtënant Oleksiy Pavlyuk, tha më 10 janar se ushtria ukrainase po forcon pozicionet mbrojtëse në veri dhe qyteti po përgatitet për një ofensivë të mundshme nga kufiri bjellorus.