Retrospektivë: Rruga e Ukrainës drejt pavarësisë më 1991
Turma njerëzish me veshje me ngjyrat kombëtare të Ukrainës duke demonstruar para selisë së Partisë Komuniste në Kiev, në gushtin e vitit 1991. Gjatë kohës sovjetike shtypeshin shprehjet e identitetit gjuhësor, kulturor dhe fetar ukrainas. Ukrainasit nganjëherë vriteshin, burgoseshin apo mërgoheshin për shkak se ata thjesht konsideroheshin se ishin në favor të pavarësisë së Ukrainës.
Disidentët paguan një çmim veçanërisht të shtrenjtë. Figurat si Vasyl Stus, Yuriy Lytvyn dhe Oleksa Tykhyi u rivarrosën në Kiev më 19 nëntor 1989, me flamurin asokohe të ndaluar ukrainas të ekspozuar krenarisht. Që të tre vdiqën në burg, ku po mbaheshin për krime të ndryshme, përfshirë “aktivitetin antisovjetik” dhe “nxitjen dhe propagandën antisovjetike”.
Më 21 korrik 1990, 3 milionë ukrainas i bashkuan duart për të formuar një zinxhir njerëzor, “Valën Ukrainase”, nga Lvivi deri në kryeqytetin Kiev, për të shënuar përvjetorin e 71-të të republikës jetëshkurtër ukrainase, që ishte themeluar më 1919. Ky ishte demonstrimi më i madh në Ukrainën e viteve të fundit të kohës sovjetike.
Zgjedhjet në marsin e 1990-s thyen monopolin në pushtet të Partisë Komuniste në Ukrainë. Disa muaj më vonë, teksa presidenti sovjetik, Mihail Gorbachev, mëtoi të parandalonte shpërbërjen e BRSS-së, qindra mijëra njerëz morën pjesë në protesta dhe në greva në mbarë Ukrainën, duke bërë thirrje për pavarësi.
“Revolucioni në granit” ishte një protestë studentore e mbajtur atë vit, në tetor, në Maidan Nezalezhnosti (Sheshin e Pavarësisë), në Kiev.
Më 1 gusht 1991, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George H. W. Bush, mbajti një fjalim, në të cilin ai paralajmëroi ukrainasit për rreziqet e “nacionalizmit vetëvrasës”, një frazë e përdorur nga Gorbachev. Ai po ashtu i këshilloi ata të kujtonin se “liria nuk është e njëjtë si pavarësia”. Katër muaj më vonë, Bush ndryshoi qëndrim, kur u detyrua të njihte një Ukrainë të pavarur.
Bush (majtas) dhe kryetari i Parlamentit të Ukrainës, Leonid Kravchuk, gjatë bisedimeve më 5 gusht 1991.
Një përpjekje puçi u bë ndërmjet 19 dhe 22 gushtit, nga komunistët e linjës së ashpër, që kërkonin të rrëzonin Gorbachevin dhe të anulonin reformat e tij. Përpjekjet e tyre u përballën me rezistencë popullore dhe dështuan shpejt. Në ditët kaotike që pasuan, më 24 gusht, parlamenti ukrainas shpalli pavarësinë e vendit, që duhej të ratifikohej nga populli përmes një referendumi më 1 dhjetor 1991.
Ukrainasit festuan shpalljen e pavarësisë më 24 gusht, duke ngritur në ajër ish të burgosurin politik, Levko Lukyanenko. Ai ishte njëri ndër themeluesit e Grupit ukrainas të Helsinkit më 1976. Lukyanenko po ashtu ishte bashkautor i deklaratës së pavarësisë së vitit 1991.
Zgjedhjet e para të drejtpërdrejta presidenciale në historinë e Ukrainës u caktuan të mbaheshin më 1 dhjetor 1991, të njëjtën ditë kur do të mbahej referendumi për pavarësinë.
Një mbështetëse e kandidatit për president, Kravchuk, duke mbajtur një pllakat nga fushata e tij, në Kiev, më 30 nëntor.
Një aktivist fushate duke mbajtur një gazetë, ku shkruante “Për një Ukrainë të lirë”, në Kiev.
Një mbështetës duke mbajtur një pllakat fushate për ish-disidentin Lukyanenko, që po garonte për president, në Kiev.
Flamuj ukrainas dhe evropianë gjatë një tubimi pro pavarësisë në Kiev.
Fletëvotimi historik përmbante pyetjen: “A e konfirmoni Aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Ukrainës?”, me dy përgjigje të mundshme: “Po, e konfirmoj”, dhe “Jo, nuk e konfirmoj”.
Ukrainasit duke hedhur votën e tyre në Kiev, më 1 dhjetor 1991.
Vyacheslav Chornovil ishte rrethuar nga gazetarët në Lviv, teksa kombi votonte. Chornovil ishte politikan i shquar ukrainas dhe disident sovjetik, i cili kishte themeluar Lëvizjen Popullore të Ukrainës, e cila ishte angazhuar për reforma dhe sovranitet më të madh. Pas shumë vitesh përndjekjeje politike dhe arrestimeve të shumta, ai arriti të garonte si kandidat për president.
Votuesit duke pritur me durim për të votuar në minierën e Kalininit, në rajonin e Donjeckut, në lindje të Ukrainës.
Votuesit në Odesë duke u nënshkruar për të marrë fletëvotimet.
Lukyanenko duke u nënshkruar për të hedhur votën e tij.
Kadetë në një qendër votimi në Kiev.
Serhiy Hodorovskiy (djathtas) duke shikuar teksa gjyshja e tij, Rosa Hordorovskaiya, 80-vjeçe, hidhte votën e saj në shtëpinë e saj, në Kiev. Për shkak të pamundësisë për të shkuar deri te qendra e votimit, kutia e votimit iu soll në shtëpi.
Nën portretin e Taras Shevchenkos, votuesit duke hedhur votat e tyre. Trashëgimia letrare e Shevchenkos konsiderohet gjerësisht si themeli i letërsisë moderne ukrainase, dhe, në një masë të madhe, i gjuhës moderne ukrainase.
Kravchuk duke votuar në Kiev. Ai mori 61.6 për qind të votave dhe u bë presidenti i parë i Ukrainës. Në vend të dytë u rendit Chornovil, me 23.3 për qind.
Pjesëmarrja në zgjedhje ishte 84 për qind, ndërsa shumica dërrmuese – mbi 90 për qind – votuan për pavarësi. Në Krime, për pavarësi votuan 55 për qind e qytetarëve.
Më 8 dhjetor 1991, presidenti ukrainas Kravchuk (i dyti nga e majta), udhëheqësi bjellorus Stanislav Shushkevich (i treti nga e majta), dhe presidenti rus Boris Yeltsin (i dyti nga e djathta) nënshkruan një deklaratë se “Bashkimi Sovjetik si realitet gjeopolitik dhe subjekt i së drejtës ndërkombëtare ka pushuar së ekzistuari”.