Ukraina pranon ndihmë të re financiare nga evropianët

Ushtarët ukrainas duke luftuar forcat ushtarake ruse. Fotografi nga arkivi.

Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, ka thënë se Kievi ka pranuar këstin e fundit prej 1.5 miliard eurosh, prej paketës 18-miliardëshe të ndarë nga Bashkimi Evropian.

“Sot, kemi pranuar 1.5 miliard eurot e fundit prej paketës financiare 18-miliardëshe. Shpresojmë për një mbështetje të vazhdueshme, të palëkundur nga ana e BE-së”, ka thënë Shmyhal në X – platformë e njohur më parë si Twitter, më 21 dhjetor.

Ai e ka bërë deklaratë pasi Gjermania ka njoftuar se do të ndajë 88.5 milionë euro shtesë, për të ndihmuar në përforcim të sistemit ukrainas të energjisë, pas sulmeve ukrainase në këtë infrastrukturë.

Injeksioni i ri financiar vjen teksa pak dihet nëse do të ketë më ndihmë financiare prej Shteteve të Bashkuara, pasi ligjvënësit e Kongresit i kanë përfunduar punimet për këtë vit, pa arritur ndonjë marrëveshje për të ndarë 61 miliardë dollarë për Ukrainën.

SHIKONI EDHE: Cameron: Franca dhe Britania do ta mbështesin Ukrainën “sa të ketë nevojë”

Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka bërë thirrje Kongresit të miratojë fondet për Ukrainën, mirëpo republikanët konservatorë kanë kërkuar më shumë fonde për përforcim të kufijve amerikanë, për shkak të rritjes së numrit të migrantëve.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë më 19 dhjetor se është i sigurt që Shtetet e Bashkuara do të mbajnë premtimin për të ndarë miliarda dollarë, që i mundësojnë Kievit ta vazhdojë luftën.

Lufta e Rusisë në Ukrainë, e nisur në shkurt të vitit 2022, mbush dy vjet dhe fundi nuk i shihet.

Më 21 dhjetor, ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov, u ka thënë mediave të huaja se ushtria ukrainase do të nisë shpejt mobilizimin e burrave prej 25 vjeç deri në 60, që jetojnë jashtë shtetit.

Umerov ka thënë se ata që nuk i lajmërohen thirrjes për mobilizim do të përballen me sanksione të paspeficikuara.

Më 19 dhjetor, Zelensky ka thënë se ushtria ukrainase është duke çuar përpara një propozim për mobilizim të 500.000 civilëve, mirëpo ai vetë ende nuk ka vendosur nëse do ta mbështesë thirrjen.

Ukraina nuk ka treguar sa ushtarë janë të angazhuar në luftë, mirëpo në disa raste është përmendur se janë rreth 1 milion njerëz me armë në duar.

Rusia e ka zgjeruar ushtrinë prej nisjes së luftës në Ukrainë, dhe ka thënë se planifikon ta rrisë forcën me 1.5 milion njerëz shtesë.

SHIKONI EDHE: Putin: Lufta në Ukrainë do të vazhdojë, qëllimet mbeten të njëjta

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.