Ukraina ka thënë se është duke analizuar raportimet se Rusia mund të ketë përdorur armë kimike në kohën e luftimeve të ashpra në qytetin e Mariupolit.
Mbretëria e Bashkuar ka paralajmëruar se do të “përgjigjet” nëse informacioni për armët kimike rezulton të jetë i vërtetë.
Rusia ka hedhur poshtë akuzat, të cilat vijnë pas paralajmërimeve serioze nga shtetet e Perëndimit për përdorim potencial të armëve kimike apo atyre bërthamore në luftën në Ukrainë.
Zëvendësministrja e Mbrojtjes në Ukrainë, Hanna Malyar, ka thënë se autoritetet ushtarake janë duke hetuar pretendimet në Mariupol se një numër i paspecifikuar i njerëzve janë përballur me probleme të frymëmarrjes dhe ato neurologjike, pas një sulmi me dron.
“Ka teori se këto mund të jenë municione me fosfor”, ka thënë Malyar në një intervistë televizive më 12 prill.
“Informacioni zyrtar do të pasojë më vonë”.
SHIKONI EDHE: Moska hedh poshtë dyshimet për dhunime në UkrainëFosfori nuk konsiderohet armë kimike, mirëpo armë ndezëse e cila shkakton djegie të rënda.
Nuk është ilegale që ushtritë të përdorin fosfor, ndonëse shënjestrimi i civilëve me çfarëdo arme ndalohet me Konventën e Gjenevës.
Agjencia e lajmeve, Interfax ka raportuar më 12 prill se forcat separatiste pro-ruse në rajon, po ashtu kanë mohuar përdorimin e armëve kimike.
Komentet e Malyarit kanë ardhur një ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka bërë një paralajmërim se zyrtarët janë duke e trajtuar “me shumë seriozitet” shqetësimin se Rusia mund të përdorë armë kimike.
SHIKONI EDHE: A po kryen Rusia gjenocid në Ukrainë?Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby ka thënë më 11 prill se Uashingtoni është në dijeni për raportimet, mirëpo nuk mund t’i konfirmojë ato.
Qyteti i Mariupolit është tejet i rëndësishëm për Rusinë, pasi kontrollimi i tij do të mund të lidhte zonat e kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Moska në lindje të Ukrainës bashkë me Krimenë, të cilën Rusia e ka aneksuar nga Ukraina më 2014.