Ushtria ukrainase ka thënë se 131.290 pjesëtarë të ushtrisë ruse mund të kenë vdekur në Ukrainë, prej nisjes së luftës më 24 shkurt të vitit të kaluar.
Në përditësimin e tij të rregullt, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase ka pretenduar se 700 ushtarë rusë janë vrarë vetëm një ditë më parë.
Në këto përditësime – në të cilat shifrat për viktimat janë më të larta sesa ato që i përpilon Perëndimi – është thënë po ashtu se Rusia ka humbur 3.220 tanke, 6.405 pajisje të armatosura dhe 2.226 sisteme të artilerisë prej nisjes së luftës.
Duke cituar zyrtarë amerikanë dhe ata të Perëndimit, e përditshmja amerikane, New York Times, ka raportuar më herët gjatë këtij muaji se numri i ushtarëve rusë të vrarë dhe të plagosur i afrohet shifrës 200.000.
SHIKONI EDHE: Të rekrutuarit rusë: Të dehur, pa uniforma, pa ushqimePër luftime të ashpra është raportuar edhe më 5 shkurt në Bahmut, qytet në lindje të Ukrainës, për kontrollin e të cilit ushtritë janë duke luftuar që disa muaj.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë më 3 shkurt se forcat ukrainase do të luftojnë për Bahmutin “aq sa të munden”.
Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë javën e kaluar se Rusia ka bërë avancime të vogla në tentimet për të rrethuar Bahmutin.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.