Ukraina kritikon komentet e zyrtarit të NATO-s për ndarje territori në këmbim të anëtarësimit

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky (majtas) me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë samitit të NATO-s, të mbajtur në korrik.

Ministria e Jashtme e Ukrainës dhe zyrtarë të lartë në Kiev, i kanë kritikuar komentet e bëra nga zyrtari i lartë i NATO-s, Stian Jenssen, i cili ka spekuluar se ndarja e një pjese të territorit ukrainas për Rusinë, në këmbim të anëtarësimit të Kievit në NATO, mund të jetë një mënyrë për dhënien fund të luftës mes dy vendeve.

“Ne gjithmonë kemi besuar se aleanca, sikurse Ukraina, nuk tregton territore”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ukrainase, Oleh Nikolenko, përmes një postimi në Facebook.

Oleksiy Danilov, sekretar i Këshillit për Siguri Kombëtare të Ukrainës, i ka quajtur komentet e Jenssenit, shefit të stafit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, si “të çuditshme”.

“Është absolutisht e paqartë pse ai e ka bërë këtë gjë”, ka thënë Danilov.

Përgjatë një paneli diskutimi të 15 gushtit në Arendal të Norvegjisë, Jenssen i ka bërë komentet duke thënë se diçka e tillë mund të shërbejë si “zgjidhje e mundshme” për t’i dhënë fund konfliktit.

Ai, po ashtu, e ka përmendur se Rusia është duke u përballur me shumë sfida në aspektin ushtarak, dhe duket “joreale që mund të pushtojë territore të reja”, si dhe e ka përsëritur qëndrimin e NATO-s, se vendimi për të negociuar me Rusinë i takon Kievit.

Shërbimi për media i NATO-s, i ka thënë të mërkurën Radios Evropa e Lirë se, deklarata për territoret ka qenë “e gabueshme”.

Jenssen i ka thënë edhe një gazete norvegjeze se ai nuk do të duhej të fliste aq thjeshtë.

“Deklaratat e mia kanë qenë pjesë e një diskutimi më të gjerë për skenarët e mundshëm për Ukrainën, dhe unë nuk do të duhej ta deklarohesha ashtu. Ka qenë gabim”, ka thënë ai për gazetën norvegjeze VG.

Megjithatë, ai nuk e ka tërhequr mbrapsht idenë e dhënies së tokës në këmbim të anëtarësimit në NATO.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë gjatë samitit të NATO-s, të mbajtur në korrik në Vilnius se Kievi është i përkushtur për çlirim të të gjithë territorit ukrainas dhe nuk do të pranonte kurrë ndarjen e territorit si pjesë të marrëveshjes me Moskën.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, i ka quajtur komentet e Jenssenit si “deklaratë false që ka synim politik”, duke e përsëritur kundërshtimin e Moskës për anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës në NATO.

Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, i cili aktualisht është zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, ka thënë në Telegram se “për të hyrë në NATO, autoritetet e Kievit duhet të heqin dorë nga vetë Kievi, kryeqyteti i Rusisë së lashtë”.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.