Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, tha se Shtetet e Bashkuara kanë arritur në përfundimin se Rusia ka kryer "krime kundër njerëzimit" në luftën e paprovokuar kundër Ukrainës, me forcat e saj që kanë ndjekur një sulm "të gjerë dhe sistematik" kundër civilëve në vend.
Kushtu tha ajo në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, një mbledhje e përvitshme e krerëve të shteteve, zyrtarëve, diplomatëve dhe ekspertëve, e cila po zhvillohet në Gjermani.
"SHBA-ja ka përcaktuar zyrtarisht se Rusia ka kryer krime kundër njerëzimit", tha Harris, duke shtuar se veprimet e forcave ruse janë "një sulm ndaj vlerave tona të përbashkëta”.
Harris përmendi një listë të abuzimeve nga forcat ruse në Ukrainë, duke përfshirë torturën dhe përdhunimin, si dhe bombardimin e një materniteti në Mariupol, që vrau tre persona, në mesin e të cilëve ishte një fëmijë.
"Le të biem dakord të gjithë: në emër të të gjitha viktimave, të njohura dhe të panjohura, drejtësia duhet të vihet në vend", tha Harris.
Ajo tha gjithashtu se SHBA-ja do të mbështesë Ukrainën "për aq kohë sa duhet".
Mbështetja perëndimore për Ukrainën ka qenë në krye të agjendës në Konferencën e Sigurisë së Mynihut.
Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha më 18 shkurt se se aleatët duhet të "dyfishojnë" mbështetjen ushtarake për Ukrainën.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, përsëriti thirrjet për aleatët perëndimorë për dërgimin sa më të shpejtë në Kiev të armëve, teksa hapi samitin tre-ditor me lidhje video më 17 shkurt.
Ai tha se Rusia nuk duhet të lejohet që të blejë kohë për agresionin e saj, derisa forcat ukrainase po përballen me sulme të shumta në të gjithë linjën e frontit.
“Ne duhet të përshpejtojmë. Ne na duhet shpejtësi – shpejtësi në marrëveshje, shpejtësi në dërgesa.... shpejtësi në vendime për të kufizuar potencialin rus”, tha Zelensky në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, sipas raportimit të AFP-së, pritet të deklarojë se aleatët perëndimorë duhet t'i ofrojnë Ukrainës atë që i nevojitet për të mposhtur Rusinë.
"Ne duhet t'i japim Ukrainës atë që i nevojitet për të fituar dhe për të mbizotëruar si një komb sovran dhe i pavarur në Evropë", thuhet në fjalimit të tij, të cilin e ka parë AFP.
SHIKONI EDHE: Zelenksy kërkon dërgim të shpejtë të armëve për UkrainënNë konferencë po marrin pjesë rreth 40 krerë shtetesh, si dhe politikanë dhe ekspertë të sigurisë nga pothuajse 100 vende, si liderët e Francës dhe Gjermanisë, por edhe nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Gjatë konferencës, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se mbështetja e shtetit të tij për Ukrainën “është e dizajnuar që të jetë afatgjatë”.
Ndërkaq, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se është jashtëzakonisht e rëndësishme që aleatët perëndimorë të rrisin ndihmën ushtarake në mënyrë që Ukraina të mund të nisë një kundërofensivë kundër Rusisë.
Pushtimi rus i Ukrainës - që ka nisur më 24 shkurt 2022 - mbushë një vit javën e ardhshme.