Ukraina shpall mobilizim të përgjithshëm

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy tha se 137 shtetas ukrainas – ushtarë dhe civilë – u vranë të enjten, në ditën e parë të operacionit ushtarak rus kundër Ukrainës.

Zelenskiy po ashtu bëri të ditur se ka nënshkruar dekretin për urdhërimin e mobilizimit të përgjithshëm.

Të gjithë rezervistët janë thirrur në ushtri, thuhet në dekret. Ky dekret do të jetë në fuqi për 90 ditë.

Gjatë një adresimi, Zelenskyi tha se Ukraina është “lënë vetëm” pasi Kremlini nisi operacion të shkallës së gjerë.

“Ne jemi lënë vetëm që ta mbrojmë shtetin tonë. Kush është gati të luftojë përkrah nesh? Unë po e shoh askënd”, tha ai në një video-adresim.

Sipas një raporti të Global Firepower, Ukraina ka 250,000 forca rezerviste, aq sa ka edhe Rusia.

Rusia më 24 shkurt nisi një operacion të shkallës së gjerë, për siç tha “çmilitarizimin” e Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do ta mbajnë përgjegjëse Rusinë për agresionin ndaj Ukrainës. Uashingtoni, por edhe Bashkimi Evropian kanë njoftuar se kanë vendosur sanksione të reja ndaj Rusisë, pasi Kremlini nisi sulmin kundër Kievit.