Forcat ukrainase kanë çliruar një fshat kyç në rajonin jugor të Hersonit, duke u shkaktuar forcave ruse një tjetër zmbrapsje.
Ministria ukrainase e Mbrojtjes ka publikuar një video, në të cilën shihet brigada e 35-të duke mbajtur një flamur ukrainas në fshatin Davidiv Brid.
Ka raportime se edhe disa fshatra në afërsi janë çliruar, po ashtu.
Forcat ruse janë larguar javë më parë edhe nga verilindja e Ukrainës, dhe tani po largohen edhe nga jugu.
Kthimi i tyre mbrapsht është raportuar teksa presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar zyrtarisht dekretet për aneksim të katër rajoneve ukrainase, ndonëse në to po zhvillohen ende luftime.
Këto aneksime janë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka konsideruar vendimin e Putinit si të paligjshme.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka biseduar të martën me Zelenskyn dhe e ka siguruar që Shtetet e Bashkuara nuk do ta njohin kurrë aneksimin e bërë nga ana e Rusisë.
Ata kanë diskutuar edhe për ndihmën ushtarake amerikane në vlerë të 625 milionë dollarëve, përfshirë sistemet HIMARS për nisje të raketave.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja me ndihmë të re ushtarake për UkrainënRusia ende kontrollon qytetin e Hersonit – kryeqytet rajonal – në jug të shtetit.
Mirëpo, fuqia e ushtrisë ruse duket se është zbehur, sidomos në veri të Lumit Dnjepër.
Zelensky ka thënë se forcat ruse kanë bërë “lëvizje të shpejta dhe të fuqishme” në jug të Ukrainës dhe kanë çliruar “dhjetëra vendbanime” këtë javë.
“Flamuri ukrainas ka valuar sërish në fshatin Davidiv Brid”, ka thënë Ministria ukrainase e Mbrojtjes në rrjetet sociale.
Banorët e fshatit kanë publikuar video, në të cilat shihen të pranishëm ushtarët ukrainas.
Zëvendësministri i Brendshëm ukrainas, Yevhen Enin, ka thënë se në Herson janë çliruar 50 qyteza dhe rreth 3.500 qytetarë, mirëpo nuk ka treguar se në çfarë periudhe.
Ministria ukrainase e Mbrojtjes ka thënë më vonë se forcat ruse janë demoralizuar dhe janë duke tentuar t'i shkatërrojnë urat, ashtu që të ndalet hovi i avancimeve ukrainase.
Një zyrtar i instaluar nga Kremlini në Herson, Kirill Stremousov, u ka thënë banorëve se “nuk ka arsye për panik’.
Ushtria ruse nuk e ka komentuar çlirimin e fshatrave nga ushtria ukrainase.
Mirëpo, në një hartë të ilustruar me rajonet që kontrollon Rusia, fshatrat rreth Lumit Dnjepër nuk shihen më aty.
Forcat ukrainase kanë shënjestruar linjat ruse të furnizimit në Herson për javë të tëra, duke shkatërruar disa ura afër lumit.
Mirëpo, avancimi i tyre në jug ka qenë i ngadalshëm deri më tani.
Hersoni ka rënë në duart e forcave ruse pak pas shpërthimit të luftës – në fund të muajit shkurt – pasi ushtria e Rusisë është lëshuar shpejt nga Gadishulli ukrainas i Krimesë, të cilin e ka aneksuar Moska më 2014.
Ukraina ka shënuar sukses edhe në Harkiv dhe Donjeck përgjatë fundjavës, duke fituar kontrollin e qytetit të Limanit.
SHIKONI EDHE: Zelensky: Kemi kontrollin e plotë të qytetit të LimanitKjo qytezë është pjesë e Donjeckut, mirëpo konsiderohet si portë hyrëse në Luhansk, rajon që kontrollohet pothuajse plotësisht nga forcat ruse.
Hersoni, Luhansku dhe Donjecku janë në mesin e rajoneve që janë duke u aneksuar ilegalisht nga Rusia, mirëpo triumfalizmi i deklaruar i presidentit rus, Vladimir Putin, ditë më parë, po konsiderohet secilin herë e më i pamatur.
Putin ka marrë vendim një muaj më parë për mobilizim të pjesshëm ushtarak, që sipas Ministrisë së Mbrojtjes nënkupton dërgimin e ftesave te 300.000 rusë për angazhim në Ukrainë.
Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka thënë se deri më tani janë mobilizuar më shumë se 200.000 trupa.
SHIKONI EDHE: Përjetimet e rusëve teksa ikin nga shtetiProcesi i rekrutimit ka nxitur dhjetëra mijëra rusë që të ikin nga shteti.
Vetëm Kazakistani ka raportuar se mbi 200.000 rusë e kanë kaluar kufirin në dy javët e fundit.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.
Vetë Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.