Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka bërë të ditur se qytetarët që furnizohen me ujë nga Liqeni i Badocit mund ta përdorin atë për pije, pas rënies së niveleve të manganit.
Qytetarët e rajonit të Prishtinës që janë furnizuar me ujë të këtij liqeni, nuk kanë mundur të përdorin ujin për pije dhe as gatim, qysh prej 4 tetorit.
“Rezultatet nga analizat e katër ditëve të fundit (e premte, e shtunë, e diel dhe e hënë, 8-12 nëntor) tregojnë se vlerat e manganit kanë zbritur dhe ato rezultojnë brenda standardeve të parapara për ujin e pijes”, është thënë në njoftimin e IKSHPK-së.
Ekspertët i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se fenomeni i rritjes së niveleve të manganit ndodh zakonisht në periudhën e ndryshimit të stinëve dhe ngjashëm ka ndodhur edhe në vjeshtën e vitit të kaluar.
Sipas tyre, arsyeja pse ky fenomen paraqitet në Badoc është sepse zona është e pasur me minerale dhe uji nxirret nga pjesë relativisht të ulëta, afër fundit të liqenit.
SHIKONI EDHE: Krejt çfarë duhet të dini për rritjen e vlerave të manganit në liqenin e BadocitMangani konsiderohet se kontribuon në shumë funksione trupore, përfshirë metabolizmin e kolesterolit, të glukozës e të karbohidrateve, në formim të kockave, në mpiksjen e gjakut, dhe në reduktimin e inflamacionit.
Por, sasia e tepruar e tij rrezikon kryesisht fëmijët nën 5 vjeç, pasi nga ekspozimi afatgjatë mund të përballen me probleme me kujtesë dhe përqendrim.
Përveç ujit, mangani gjendet edhe në ajër dhe shumë ushqime, përfshirë drithërat, fasulet, arrat dhe çajin, gjithmonë në vlera të pranueshme për trupin e njeriut.
Përgjatë periudhës sa uji nga Liqeni i Badocit nuk ka qenë i pijshëm, qytetarët janë detyruar të blejnë ujin për pije dhe gatim, si dhe kompania e ujësjellësit Prishtina ka shpërndarë disa herë ujë nga cisternat mobile.