Në botë janë regjistruar më shumë anulime fluturimesh të lidhura me koronavirus, duke krijuar atmosferë të mjerueshme për mijëra njerëz në fund të vitit.
Më shumë se 1,400 fluturime janë anuluar të hënën, 27 dhjetor, derisa Kina dhe Shtetet e Bashkuara janë destinacionet e goditura më së keqi, sipas të dhënave të faqes FlightAware.
Kompanitë ajrore amerikane kanë thënë se anulimet janë rezultat i testimit të anëtarëve të stafit që kanë rezultuar pozitivë, ose është dashur të izolohen.
SHIKONI EDHE: Sëmuret personeli, anulohen qindra fluturime në botëHong Kongu ka ndalur të gjitha fluturimet me Korenë Jugore për dy javë, pas identifikimit të rasteve pozitive në mesin e udhëtarëve nga ky shtet.
Në total, më shumë se 8,000 fluturime janë anuluar prej të premtes, kur edhe ka nisur të festohet Krishtlindja.
Ndonëse numri i fluturimeve të anuluara është i vogël në krahasim me totalin e atyre që janë realizuar, kjo shifër është më e lartë sesa zakonisht dhe vjen në kohën kur shumë njerëz udhëtojnë për të kaluar kohë me familjen dhe miqtë.
Ndërkohë, autoritetet amerikane janë duke vëzhguar dhjetëra anije, në të cilat ka raste pozitive në koronavirus, teksa po lundrojnë në ujërat amerikanë.
Sipas agjencisë së lajmeve AFP, disave u është mohuar ankorimi në portet e Karaibeve.
Numri i rasteve të infektimit me koronavirus është duke prekur nivele rekorde në gjithë botën, kryesisht për shkak të variantit Omicron.
SHIKONI EDHE: Evropa rikthen masat kufizuese për luftim të pandemisëPavarësisht gjetjeve të fundit se Omicron përcillet me simptoma më të lehta sesa variantet tjera, shkencëtarët janë të shqetësuar nga numri i madh i rasteve të raportuara.
Kush u godit më së shumti nga anulimet e fluturimeve?
Shumica e fluturimeve të anuluara të hënën janë të kompanive kineze, sipas FlightAware.
Aty përfshihen China Eastern me 368 fluturime të anuluara dhe Air China me 141.
Aeroportet në Pekin dhe në Shangai duket se janë goditur më së keqi me gati 300 fluturime të anuluara në kombinim.
Autoritetet kineze nuk e kanë komentuar ende këtë situatë.
Aeroporti i qytetit kinez, Xi’an, është po ashtu në listë.
Më shumë se 13 milionë njerëz në këtë qytet janë izoluar, teksa autoritetet tentojnë të luftojnë një shpërthim të koronavirusit.
SHIKONI EDHE: Kina regjistron rekord të infektimeve me koronavirusNë Shtetet e Bashkuara, kompanitë më të goditura janë United me 84 anulime dhe JetBlue me 66.
Kompania United ka paralajmëruar javën e kaluar se rritja e rasteve të infektimit ka pasur “ndikim të drejtpërdrejtë në staf” pasi shumë njerëzve u është kërkuar të vetizolohen pas kontaktit me persona të infektuar.
Varianti Omicron i koronavirusit tani është variant dominues në SHBA.
SHIKONI EDHE: Omicroni dhe gripi stinor me ngjashmëri që hutojnëPor edhe moti i ligë është faktor në këtë situatë.
Bora ka shtyrë realizimin e disa fluturimeve në Uashington ditën e diel.
Në Mbretëri të Bashkuar janë anuluar 42 fluturime, më 27 dhjetor.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, prej shpërthimit të pandemisë, në gjithë botën janë regjistruar 280 milionë raste të infektimit.
Përgjatë kësaj periudhe është raportuar edhe për 5.4 milionë vdekje të lidhura me këtë virus.