Afrim Bunjaku nderohet në njëvjetorin e sulmit të Banjskës

Dëmet nga sulmi në Banjskë mbi një automjet të Policisë së Kosovës, shtator 2023.

Udhëheqësit e Kosovës dhe ambasadorë të huaj në vend e kanë shënuar të martën njëvjetorin e sulmit të armatosur kundër Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit, duke e nderuar "sakrificën” e rreshterit të vrarë Afrim Bunjaku.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin e Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.

Your browser doesn’t support HTML5

Një vit nga sulmi në Banjskë: Pyetje pa përgjigje dhe hetime në Prishtinë e Beograd

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shkroi në rrjetet sociale se Kosova “është dhe do të mbetet e pandashme, e liria dhe kufijtë tanë të paprekshëm”.

“Sot një vit, rreshteri Afrim Bunjaku ra dëshmor, për të treguar edhe një herë, siç kemi dëshmuar ndër shekuj, se kjo tokë është atdheu ynë i përjetshëm”, shkroi në Facebook Osmani, e cila ndodhet në Shtetet e Bashkuara për një vizitë.

Në njëvjetorin e vrasjes së Bunjakut, autoritetet kosovare e emërtuan të martën një rrugë rajonale që çon drejt Banjskës për nder të tij. Në përurimin e rrugës Ballaban – Banjskë morën pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministrat e tij.

Shenja rrugore "Afrim Bunjaku" u përurua të martën në rrugën që çon drejt fshatit Banjskë në veri të Kosovës, për nder të rreshterit të vrarë në detyrë, Afrim Bunjaku, gjatë sulmit kundër Policisë së Kosovës shtatorin e kaluar në këtë fshat të vendit.

“Në njëvjetorin e sulmit terrorist dhe paramilitar kundër vendit tonë në Banjskë të Zveçanit, nderojmë e kurrë nuk harrojmë sakrificën e heroit, rreshterit Afrim Bunjaku, që humbi jetën duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, shkroi Kurti në Facebook.

Kosova e ka cilësuar sulmin si "terrorist" dhe e akuzon shtetin e Serbisë se ka gisht në të. Serbia i ka mohuar akuzat.

Kurti, së bashku me ministrat e Qeverisë së tij, bëri homazhe te varri i Bunjakut dhe e vizitoi familjen e tij në fshatin Samadrexhë të Vushtrri, ku tha se Serbia "është përgjegjëse dhe duhet të japë përgjegjësi" dhe se Kosova i kërkon bashkësisë ndërkombëtare për ta mbajtur përgjegjës shtetin e saj fqinj.

Ai shtoi se një vit pas sulmit, në Kosovë "nuk ka më burime të brendshme që e cenojnë sigurinë apo stabilitetin e të cilat ne nuk arrijmë t’i kontrollojmë apo menaxhojmë".

Në fillim të këtij muaji, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave për këtë sulm.

SHIKONI EDHE: Kush dhe çka e mbron Radoiçiqin në Serbi?

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Beogradi.

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria kosovare, Radoiçiq cilësohet si “kreu i grupit terrorist”.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, bëri homazhe te varri i Bunjakut në Vushtrri.

"Sot iu bashkova Qeverisë së Kosovës dhe kolegëve të mi diplomatikë për ta nderuar kujtimin e oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në detyrë në sulmin e Banjskës, një vit më parë. Shtetet e Bashkuara përsërisin thirrjet dhe presin që kryerësit dhe të gjithë të përfshirët në këtë krim të tmerrshëm të mbahen përgjegjës", shkroi Hovenier.

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë tha se dështimi për t’i mbajtur përgjegjës kryerësit e sulmit “me gjithë pranimin e qartë të fajësisë” e minon paqen në rajon dhe dërgon mesazh të "rrezikshëm”.

“Një vit më parë, gjatë një sulmi i neveritshëm në Banjskë, oficeri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku humbi jetën. Sakrifica e tij nuk do të harrohet, por fakti mbetet: Millan Radoiçiq, fajtori i dyshuar për këtë krim, edhe pse e ka pranuar përgjegjësinë, është ende i lirë në Serbi”, shkroi Ambasada gjermane në Facebook.

Radoiçiq besohet se gjendet në Serbi. Ndërkaq, të pandehurit e tjerë, sipas aktakuzës, të gjithë janë në arrati përveç tre personave që gjenden në paraburgim në Kosovë: Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 13 shtator se autoritetet serbe po e hetojnë sulmin në Banjskë.

Ai tha se ky sulm, për Serbinë, nuk është “terrorist”.