Associated Press
Organizatori i sulmit të grupit radikal palestinez, Hamas – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian – ndaj Izraelit, i cili nxiti gjakderdhjen më të madhe izraelito-palestineze prej dekadash, është një figurë e fshehtë, që ia kanë frikën në të dyja anët e luftës.
Në Gazë, askush s’ka fuqi më të madhe në përcaktimin e trajektores së ardhshme të luftës sesa Yehya Sinwar. I obsesionuar, i disiplinuar dhe diktatorial, ai është udhëheqësi më i lartë i Hamasit brenda territorit palestinez – një militant veteran, i parë rrallë në publik, i cili ka mësuar hebraishten gjatë viteve të kaluara në burgjet izraelite, dhe i cili ka studiuar me kujdes armikun e tij.
Zyrtarët izraelitë janë zotuar se do ta vrasin atë dhe do ta shtypin grupin ekstremist, i cili qeveris Gazën që nga viti 2007. Por, teksa lufta ndodhet në javën e shtatë, Sinwar, 61-vjeçar, vazhdon të jetë gjallë, i fshehur dhe në ballë të luftëtarëve të Hamasit, teksa ata po luftojnë me forcat izraelite. Ai, po ashtu, kontrollon negociatat e grupit për fatin e gati 240 pengjeve, të cilët luftëtarët e Hamasit i morën gjatë sulmit të 7 tetorit.
Teksa mijëra njerëz kanë vdekur si pasojë e bombardimeve dhe operacionit tokësor Izraelit, fati politik i Sinwarit tani mund të varet nga ajo se si përfundon lufta, dhe nëse palestinezët mendojnë se kanë fituar ndonjë gjë nga humbjet e tyre të mëdha.
Nëse ai mund të sigurojë lirimin e të gjithë të burgosurve palestinezë dhe shfuqizimin e bllokadës 16-vjeçare të Gazës, njerëzit mund të ndihen se kanë fituar diçka, thotë Hani al-Masri, analist veteran palestinez. Në të kundërtën, “do të jetë problem i madh” për Sinwarin personalisht, “sepse njerëzit do të thonë se ka pasur shkatërrim, dhe ne nuk kemi fituar asgjë”.
Sinwar ka arritur të shpallë një fitore politike – ndonëse ajo ka ardhur me një kosto masive të vdekjes së mijëra palestinezëve – pas njoftimit të planeve për një armëpushim të përkohshëm dhe për një shkëmbim të pengjeve me të burgosur ndërmjet Hamasit dhe Izraelit, të mërkurën.
SHIKONI EDHE: Izraeli dhe Hamasi pajtohen për armëpushim dhe lirim pengjeshShkëmbimi, i cili ishte paraparë të niste të enjten, u shty më pas të paktën deri të premten. Izraeli nuk ka dhënë shpjegime të menjëhershme për shtyrjen.
Flokëthinjuri Sinwar besohet të ketë organizuar sulmin e befasishëm të 7 tetorit në Izraelin jugor, bashkë me figurën tjetër edhe më të fshehtë, Mohammed Deif, i cili udhëheq krahun e armatosur të Hamasit.
Sulmi zuri në befasi ushtrinë dhe shërbimet e inteligjencës në Izrael, dhe theu imazhin e Izraelit si i pamposhtshëm, teksa militantët vranë rreth 1.200 persona, kryesisht civilë, me brutalitet.
Hamasi ka thënë se e ka kryer sulmin në shenjë hakmarrjeje për shtimin e veprimeve izraelite kundër palestinezëve, si dhe për okupimin e vazhdueshëm të Bregut Perëndimor dhe për bllokadën e Gazës – por edhe për të kthyer kauzën palestineze në agjendën botërore.
Ajo që solli ai ishte një hakmarrje shkatërruese izraelite, që vrau mijëra persona dhe rrafshoi pjesë të mëdha të Gazës.
Për izraelitët, Sinwar është figurë e tmerrshme. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, e ka quajtur atë vrasës “që ia ka dëshmuar mbarë botës se Hamasi është më i lig se ISIS-i”, duke iu referuar grupit Shteti Islamik.
Mes palestinezëve, disa e respektojnë Sinwarin për rezistencën ndaj Izraelit dhe për qëndrimin e tij në Gazën e varfëruar, në krahasim me udhëheqësit e tjerë të Hamasit, të cilët jetojnë më rehatshëm jashtë territorit palestinez.
Në një gjest sfidues, dy vjet më parë, Sinwar e përfundoi njërin prej pak fjalimeve të tij publike, duke e ftuar Izraelin ta vriste atë, duke deklaruar: “Do të kthehem në këmbë në shtëpi pas këtij takimi”. Më pas, ai veproi pikërisht ashtu, duke shtrënguar duar e duke bërë fotografi me njerëz nëpër rrugë.
Por, atij, po ashtu, ia kanë shumë frikën për dorën e hekurt në Gazë, ku pakënaqësitë publike shtypen.
Për dallim nga paraqitjet e buta mediale të disa prej udhëheqësve politikë të Hamasit, Sinwar nuk është angazhuar që të ndërtojë imazh publik. Ai njihet si “Kasapi i Han Junisit” për qasjen e tij brutale ndaj palestinezëve që dyshohet se bashkëpunojnë me Izraelin.
Sinwar është lindur më 1962, në kampin e refugjatëve në Han Junis të Gazës, në një familje që ishte mes mijëra palestinezëve të zhvendosur nga ai që sot njihet si qyteti i Ashkelonit, gjatë luftës së 1948-ës, para krijimit të Izraelit.
Ai është ndër anëtarët më të hershëm të Hamasit, i cili është krijuar nga dega palestineze e Vëllazërisë Myslimane më 1987, kur enklava bregdetare ndodhej nën okupimin ushtarak izraelit.
SHIKONI EDHE: Katër luftërat midis Izraelit dhe GazësSinwar bindi themeluesin e grupit, Ahmed Yassin, se për të pasur sukses si organizatë rezistence, Hamasi duhej të pastronte radhët dhe t’i largonte spiunët e Izraelit. Ata krijuan një organizëm sigurie, i njohur asokohe si Majd, të cilin e udhëhiqte Sinwar.
I arrestuar nga Izraeli në fundin e viteve ’80, ai pranoi, gjatë marrjes në pyetje, se kishte vrarë 12 të dyshuar si kolaboracionistë. Sinwar do të dënohej me katër vjet burgim, për krime që përfshinin rrëmbimin dhe vrasjen e dy ushtarëve izraelitë.
Michael Koubi, ish-drejtor i departamentit të hetimeve në agjencinë izraelite të sigurisë, Shin Bet, i cili e kishte marrë personalisht në pyetje Sinwarin, kujton rrëfimin që i bëri më së shumti përshtypje: Sinwar kishte treguar se si e kishte detyruar një burrë ta varroste vëllain e tij të gjallë, sepse ai dyshohej se punonte për Izraelin.
“Sytë e tij ishin plot gëzim kur po na tregonte këtë ngjarje”, thotë Koubi.
Por, për të tjerët nëpër qeli, Sinwar ishte karizmatik, i shoqërueshëm dhe mendjemprehtë, i hapur ndaj të burgosurve nga të gjitha fraksionet politike.
Ai u bë udhëheqës i qindra anëtarëve të burgosur të Hamasit. Ai organizoi greva për përmirësimin e kushteve. Mësoi hebraishten dhe studioi shoqërinë izraelite.
“Të qenët udhëheqës brenda burgut i ka dhënë atij përvojë në negociata dhe dialog, dhe ai e ka mësuar mentalitetin e armikut dhe mënyrën e ndikimit tek ai”, thotë Anwar Yassine, qytetar libanez, i cili ka kaluar rreth 17 vjet në burgjet izraelite, një pjesë të madhe të të cilave me Sinwarin.
Yassine ka theksuar se si Sinwar gjithmonë e ka trajtuar atë me respekt, ndonëse ai i përket Partisë Komuniste të Libanit, parimet laike të së cilës bien ndesh me ideologjinë e Hamasit.
SHIKONI EDHE:
Kush është Hamasi?Kush e financon Hamasin? Një rrjet global kriptovalutash e bamirësishDezinformatat për luftën Izrael-Hamas po vlojnë, por ja ku janë faktet…Më 2008, Sinwar i ka mbijetuar një forme agresive të kancerit në tru, pas trajtimit në një spital në Tel Aviv.
Kryeministri Benjamin Netanyahu e ka liruar atë më 2011, bashkë me rreth 1.000 të burgosur të tjerë, në shkëmbim të Gilad Schalitit, një ushtar izraelit i zënë rob nga Hamasi, gjatë një sulmi ndërkufitar. Netanyahu ishte kritikuar ashpër për lirimin e qindra të burgosurve, që ishin dënuar për përfshirje në sulme vdekjeprurëse.
Pas kthimit në Gazë, Sinwar është koordinuar ngushtë me udhëheqjen politike dhe krahun ushtarak të Hamasit, Brigadat Qassam. Ai, po ashtu, ka kultivuar një reputacion si njeri i pamëshirshëm. Besohet gjerësisht se ai qëndron prapa vrasjes së paprecedent të një komandanti të lartë të Hamasit, Mahmoud Ishtewi, më 2016, në një luftë të brendshme për pushtet.
Më 2017, ai u zgjodh shef i byrosë politike të Hamasit në Gazë. Sinwar ka bashkëpunuar me udhëheqësin e Hamasit në mërgim, Ismail Haniyeh, për të rirreshtuar grupin me Iranin dhe aleatët e tij, përfshirë Hezbollahun e Libanit. Ai, po ashtu, është përqendruar në ndërtimin e kapaciteteve ushtarake të Hamasit.
Për Hamasin, mbijetesa në luftë, në çfarëdo forme, do të sfidonte Izraelin dhe do të ofronte njëfarë fitore. Vetë Sinwar mund të mos mbijetojë.
“Unë jam i sigurt se ne një ditë do ta vrasim atë”, thotë Koubi. “Por, shkatërrimi i ideologjisë së rrënjosur prej tij nuk do të jetë i lehtë”.