Turqia dëshiron t’i bashkohet rastit kundër Izraelit në GJND

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Fotografi nga arkivi.

Turqia do të paraqesë një kërkesë më 7 gusht që zyrtarisht t’i bashkohet rastit për gjenocid, të ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

"Ne sapo e kemi dorëzuar kërkesën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për t'u përfshirë në rastin për gjenocid kundër Izraelit", shkroi në X ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan. "I trimëruar nga mosndëshkueshmëria për krimet e tij, Izraeli po vret edhe më shumë palestinezë të pafajshëm çdo ditë".

Turqia vazhdimisht ka kritikuar Izraelin për bombardimin e Gazës gjatë luftës kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

"Bashkësia ndërkombëtare duhet ta bëjë atë që i takon për ta ndalur këtë gjenocid; ajo duhet t'u bëjë Izraelit dhe mbështetësve të tij trysni. Turqia do të bëjë përpjekje për ta bërë këtë", shtoi ai.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, mbështet kauzën palestineze dhe ka dënuar “barbarinë” e Izraelit, shtet që sipas tij, “vazhdimisht ka shfaqur qëllimin e tij për të zbatuar politika masakruese”.

GJND-ja veçse ka urdhëruar Izraelin që të bëjë gjithçka për të parandaluar gjenocidin gjatë ofensivës së tij, që e nisi si kundërpërgjigje ndaj sulmit të 7 tetorit të Hamasit. Por, gjykata nuk ka urdhëruar një armëpushim. GJND-ja po ashtu ka urdhëruar Izraelin që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar që popullata palestineze e Gazës të ketë furnizime me ushqime bazike dhe në maj, kjo gjykatë bëri thirrje për ndaljen e operacioneve ushtarake në qytetin Rafah, në jug të Gazës.

“Ekipi ligjor i Parlamentit tonë më 7 gusht do të dorëzojë një kërkesë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë që t’i bashkohemi rastit”, tha Erdogan, pas një mbledhjeje të kabinetit presidencial më 5 gusht.

“Prandaj, ne do të bëjmë aplikimin zyrtar në emër të Turqisë”.

Turqia është një nga shtetet më kritike ndaj veprimeve ushtarake të Izraelit në Gazë.

Lexoni edhe këtë:

GJND urdhëron Izraelin që “menjëherë të ndalë” ofensivën në RafahTurqia ndalon tregtinë me Izraelin për shkak të luftës në Gazë

Hamasi po ashtu ka mbështetje nga armiku i kamotshëm i Izraelit, Irani. Tensionet rajonale janë rritur ditëve të fundit, pasi më 31 korrik në Teheran u vra lideri politik i Hamasit, Ismail Haniyeh.

Irani ka fajësuar drejtpërdrejt Izraelin, i cili nuk ka marrë përgjegjësinë për vrasjen. Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei është zotuar për një përgjigje ushtarake, duke rrezikuar që ta çojë mbarë rajonin në prag të luftës.

Erdogan ka dënuar vrasjen e Haniyehut, duke e cilësuar si “akt të neveritshëm” që synon të minojë kauzën palestineze dhe të dekurajojë dhe kërcënojë popullin palestinez.

Lideri turk shpesh ka krahasuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, me Adol Hitlerin, duke thënë se trajtimi që u bënë Izraeli palestinezëve përbën gjenocid dhe se shteti duhet të ndëshkohet nga nivelet më të larta ndërkombëtare.

Erdogani po ashtu ka kritikuar shtetet perëndimore për mbështetjen që i ofrojnë Izraelit, veçanërisht ka kritikuar SHBA-në.

Afrika e Jugut ngriti rastin në GJND në dhjetor të vitit 2023, duke argumentuar se Izraeli ka shkelur Konventën e Gjenevës me aparteidin e pretenduar, pushtimin dhe bllokadën që ka vendosur në Rripin e Gazës.

Dhjetëra shtete kanë shprehur mbështetje për rastin kundër Izraelit.

Por, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe disa shtete të tjera janë kundër këtij rasti.

Duke iu bashkuar rastit në GJND, Turqia e dorëzon një “deklaratë për intervenim” për t'iu bashkuar procedurave gjyqësore.

Lexoni edhe këtë:

Erdogan ashpërson kritikat ndaj IzraelitErdogan thotë se Turqia mbështet udhëheqësit e Hamasit

GJND-ja duhet që zyrtarisht ta miratojë kërkesën e Turqisë për t’iu bashkuar rastit.

“Turqia qëndron me Palestinën gjatë këtyre ditëve të vështira të [luftës] për mbijetesë dhe mbështet vëllezërit dhe motrat palestinezë me të gjitha mjetet”, tha Erdogan më 5 gusht.