Opozita zotohet se do ta ndryshojë sistemin politik turk

Kreu i opozitës turke, Kemal Kilicdaroglu, i shoqëruar nga liderët e partive tjera opozitare, gjatë një konderencë për media në Ankara. 6 mars. 2023.

Reuters

Koalicioni opozitar turk është zotuar se do të ndryshojë shumë nga politikat e presidentit aktual, Recep Tayyip Erdogan, në zgjedhjet që pritet të mbahen më 14 maj.

Të hënën, ky koalicion e zgjodhi liderin opozitar, Kemal Kilicdaroglu, si kandidat për president. Ai do të jetë kundërkandidati i Erdoganit në këto zgjedhje.

Koalicioni - i përbërë nga gjashtë parti - premton që vendi do të kthehet në një demokraci parlamentare, që do të tërheqë politikat ekonomike joortodokse dhe se do të sjellë ndryshim të madh në politikën e jashtme.

Lexoni detajet e programit të tyre politik:

Reformat legjislative dhe ekzekutive

Premtimi kryesor i koalicionit opozitar është kthimi i Turqisë në një sistem parlamentar, për të cilin ata thonë se do të jetë "më i fortë" se ai që ishte në fuqi, përpara se vendi të kalonte në sistemin aktual presidencial më 2018.

Koalicioni premton, gjithashtu, se do ta kthejë Presidencën në një institucion me rol "të paanshëm", pa përgjegjësi politike.

Presidenti, sipas koalicionit, do t'i ndërpresë lidhjet me partitë politike, do të shërbejë vetëm një mandat shtatëvjeçar dhe më pas do t’i ndalohet angazhimi nga politika aktive.

Autoriteti i Parlamentit për t'u tërhequr nga marrëveshjet ndërkombëtare do të përfshihet në Kushtetutë.

Në administratën publike, bordet dhe zyrat në varësi të Presidencës do të shfuqizohen, dhe detyrat e tyre do të kalojnë në ministritë përkatëse.

SHIKONI EDHE: Kilicdaroglu, kundërkandidat i Erdoganit në zgjedhjet presidenciale turke

Ekonomia

Ky bllok premtoi se do ta ulë inflacionin në numër njëshifror brenda dy vjetëve, i cili u rrit në 55 për qind gjatë muajit shkurt. Një tjetër premtim i koalicionit është edhe rivendosja e stabilitetit të lirës turke, e cila ka humbur 80 për qind të vlerës së saj në pesë vjetët e fundit.

Koalicioni tha gjithashtu se do të sigurojë pavarësinë e Bankës Qendrore dhe do t'i heqë rregullat si për shembull: lejimi i kabinetit për të zgjedhur guvernatorin.

Blloku opozitar premtoi se do të përgatisë legjislacionin për të lejuar Parlamentin të miratojë ligje mbi misionin e bankës, pavarësinë operacionale dhe emërimet e nivelit të lartë.

Opozita u zotua të shkurtojë shpenzimet e Qeverisë duke ulur numrin e avionëve të përdorur nga Presidenca, numrin e automjeteve të përdorura nga nëpunësit civilë dhe duke shitur disa ndërtesa shtetërore.

Planprogrami i koalicionit përfshin edhe shqyrtimin e të gjitha projekteve në kuadër të partneritetit publik-privat. Koalicioni, nëse fiton, tha se do të rishikojë projektin e centralit bërthamor Akkuyu dhe do të rinegociojë kontratat e gazit natyror, duke reduktuar rrezikun e varësisë nga disa vende për importin e gazit.

SHIKONI EDHE: Si kanë ndikuar tërmetet në planin për zgjedhjet në Turqi?

Politika e jashtme

Blloku opozitar do të miratojë sloganin "Paqe në shtëpi, paqe në botë", si guri themeltar i politikës së jashtme të Turqisë.

Po ashtu, blloku premtoi se do të "punojë për të përfunduar procesin e pranimit" për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.

Premtim i opozitës është edhe vendosja e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara me një mirëkuptim të besimit reciprok dhe kthimi i Turqisë në programin e avionëve luftarakë F-35.

Sipas bllokut, Turqia do të ruajë marrëdhëniet me Rusinë "me mirëkuptimin se të dyja palët janë të barabarta dhe të forcuara nga dialogu i balancuar dhe konstruktiv".

Reformat ligjore

Gjashtë partitë janë zotuar të sigurojnë pavarësinë e gjyqësorit, i cili aktualisht thuhet që është nën kontrollin e Erdoganit dhe aleatëve të tij.

Gatishmëria e gjyqtarëve për t'iu përmbajtur vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut do të merret parasysh gjatë vlerësimit të tyre.

Të gjashtë partitë në koalicion kanë premtuar reformimin e Bordit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe ndarjen e tij në dy subjekte, të cilat, sipas tyre, do të jenë më të përgjegjshme dhe transparente. Gjithashtu, kanë thënë se do të reformojnë strukturën dhe proceset zgjedhore për gjykatat më të larta, si Gjykata Kushtetuese dhe Këshilli i Shtetit.

Palët kanë premtuar se do të sigurojnë që paraburgimet të jenë përjashtim, një masë që kritikët thonë se është abuzuar nën sundimin e Erdoganit.

Përgatiti: Erjonë Popova