Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka refuzuar një thirrje të Shteteve të Bashkuara për armëpushim të menjëhershëm në veri të Sirisë, duke thënë se ofensiva e Ushtrisë turke do të vazhdojë.
“Ata thonë të shpallim armëpushimin. Ne kurrë nuk do ta shpallin atë”, tha Erdogan.
Më 15 tetor, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj ministrive turke dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë, në përgjigje të ofensivës ushtarake të vendit në veri të Sirisë.
Në një bisedë telefonike, presidenti i SHBA-së, Donald Trump raportohet se ka qenë mjaft i ashpër ndaj homologut të tij turk, Erdogan, duke i kërkuar armëpushim të menjëhershëm.
Por, presidenti turk iu përgjigj Shteteve të Bashkuara, duke thënë se nuk shqetësohet për sanksionet dhe as presionin për të ndalur ofensivën.
"Ata po na bëjnë presion për të ndalur operacionin. Ata po shpallin sanksione. Qëllimi ynë është i qartë. Ne nuk shqetësohemi për asnjë sanksion", shtoi presidenti turk.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja vendos sanksione ndaj Turqisë për shkak të ofensivës në SiriNdërhyrja ushtarake turke, e cila filloi javën e kaluar, synon të largojë nga rajoni kufitar, Forcat Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga kurdët, raporton BBC.
Turqia, e konsideron grupin e udhëhequr nga kurdët, një organizatë terroriste.
Forcat turke gjithashtu duan të vendosin atë, që qeveria e tyre e përshkruan si një "zonë e sigurt", për të rivendosur aty deri në dy milionë refugjatë sirianë që gjenden aktualisht në Turqi.
SHIKONI EDHE: Kriza në Siri: Turqia e gjen të boshatisur burgun ku mbaheshin militantët e IS-itForcat e udhëhequra nga kurdët kanë qenë një aleat kryesor i SHBA-së në luftën kundër grupit militant, Shteti Islamik.
Për të diskutuar situatën, në Turqi pritet të arrijnë nënpresidenti amerikan, Mike Pence dhe sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.
Nënpresidenti Pence paralajmëroi më 15 tetor, se sanksionet e SHBA-së kundër Turqisë do të përkeqësohen "derisa Turqia të pranojë një armëpushim të menjëhershëm" dhe të negociojë një zgjidhje afatgjate për zonën kufitare me Sirinë.
Një bisedë telefonike me Erdoganin e ka zhvilluar edhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Ai e ka ftuar homologun e tij turk për një vizitë pune në Moskë “gjatë ditëve të ardhshme”.
Cilat janë informacionet e fundit nga zona e konfliktit?
Forcat e Qeverisë siriane, të martën hynë në qytetin strategjik Manbixh, që gjendet brenda rajonit ku Turqia dëshiron të krijojë "zonën e saj të sigurt".
Ndërkohë, trupat turke dhe luftëtarët pro-turq, antiqeveritar ishin mbledhur gjithashtu afër qytetit Manbixh.
Gjatë dy vjetëve të kaluara, qindra trupa amerikane kanë patrulluar në qytetin strategjik, por ata u larguan në fillim të kësaj jave.
Rusia - një aleat kryesor i presidentit Sirian Bashar al-Asad - tha që forcat e saj po patrullonin përgjatë "vijës së kontaktit" midis forcave siriane dhe turke.