Turqia do të ulë taksat për ushqimet bazë për të luftuar inflacionin

Një treg në Turqi

Presidenti i Turqisë njoftoi të shtunën (12 shkurt) një ulje të taksave në furnizimet bazë ushqimore derisa vendi përballet me inflacion të shfrenuar.

Presidenti, Rexhep Tajip Erdogan tha se tatimi në vlerë të shtuar [TVSH] do të ulet në 1 për qind nga 8 për qind për blerjet e ushqimeve. Vendimi i tij do hyjë në fuqi të hënën [14 shkurt].

Erdogan tha se, përveç zbritjes së taksave, qeveria "pret" që kompanitë ushqimore të ulin çmimet e tyre me 7 për qind. Ai tha se këto ushqime luajnë një rol të rëndësishëm në inflacion.

Të dhënat zyrtare për janarin treguan se inflacioni u rrit në 48.69 për qind në vit, megjithëse ekspertët e pavarur thonë se është më shumë se 115 për qind.

“Ne nuk do të lejojmë inflacionin të shtypë kombin tonë”, tha Erdogan.

Kritikët, megjithatë, thonë se vendi po vuan nga inflacioni i lartë për shkak të këmbënguljes së Erdoganit për uljen e normave të interesit. Ai beson se inflacioni shkaktohet nga normat e larta të interesit, në kundërshtim me teorinë ekonomike.

Banka Qendrore, pavarësia e së cilës është gërryer nga qeveria, kishte ulur normën bazë të interesit me 500 pikë që nga shtatori në 14 për qind, por ndaloi uljet e normës në janar.

SHIKONI EDHE: Erdogan shkarkon shefin e statistikave pas raportit për inflacion

Një krizë valutore u shkaktua nga shkurtimet dhe lira turke arriti në nivele rekord në dhjetor.

Për shkak se Turqia mbështetet në importet për nevojat e saj energjetike, si dhe lëndët e para dhe shumë furnizime ushqimore, çmimet janë rritur në qiell.

Lira u mbyll këtë javë me 13.49 kundrejt dollarit. Rekordi i ulët në dhjetor ishte 18.36.

Ministri i Thesarit dhe Financave, Nureddin Nebati, njoftoi gjithashtu një hap për të inkurajuar njerëzit të sjellin arin që e mbanin "nën jastëk". Ai tha se 1500 lokacione të depozitimit të arit do të fillonin funksionimin më 1 mars për të integruar metalin e çmuar në sistemin financiar si depozita.

Ai shtoi se njerëzit do të mund ta tërheqin arin e tyre në formë fizike nëse dëshirojnë.

SHIKONI EDHE: Harrohen çmimet e qirave pas faturave të energjisë