Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se vendi i tij e mbështet Azerbajxhanin në “hapat për ruajtje të integritetit territorial”.
Ai i ka bërë këto deklarata në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Nagorno-Karabaku është në territorin e Azerbajxhanit”, ka thënë Erdogan, duke shtuar se asnjë status tjetër “nuk do të pranohet kurrë”.
Sipas tij, Armenia duhet t’i përmbushë premtimet e veta, përfshirë hapjen e korridorit për transport, në jug.
Lideri turk ka bërë thirrje edhe për një zgjidhje të shpejtë për armiqësitë në mes të Azerbajxhanit dhe Armenisë.
Më 2020, Turqia i ka ndihmuar Azerbajxhanit që t’i rikthejë territoret e humbura nga Karabak në luftën e zhvilluar më 1990 me Armeninë për këtë rajon.
SHIKONI EDHE: Çfarë është Nagorno Karabaku dhe pse po rriten tensionet?Një zyrtar separatist armen për të drejta të njeriut ka thënë se 25 persona kanë vdekur të martën në këtë rajon, si pasojë e ofensivës ushtarake të nisur nga Azerbajxhani.
Dy prej të vdekurve është thënë të jenë civilë, derisa të paktën 138 persona tjerë janë plagosur.
Azerbajxhani ka dërguar trupa ushtarake në Karabak, për atë që e ka quajtur “operacion kundër terrorizmit”.
SHIKONI EDHE: Azerbajxhani nis operacion “kundër terrorizmit” në Nagorno-KarabakNdonëse Azerbajxhani ka thënë se operacioni është i kufizuar vetëm në shënjestrat ushtarake, Ministria e Mbrojtjes ka thënë se janë krijuar “korridore humanitare” për ta evakuuar popullsinë.
Zyrtarë të mbrojtjes armene në rajonin e shkëputur kanë thënë se ushtria e Azerbajxhanit e ka shkelur “armëpushimin në linjat e kontaktit përmes sulmeve me raketa”.
Përfaqësues tjerë të Karabakut kanë përmendur “ofensivë ushtarake të shkallës së gjerë”.
Armenia ka qenë aleate për kohë të gjatë me Rusinë, ndonëse së fundi e ka acaruar Moskën pas stërvitjeve që i ka zhvilluar me Shtetet e Bashkuara.