Përfundon votimi në zgjedhjet lokale turke

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, gjatë një tubimi zgjedhor në Stamboll më 24 mars 2024.

Në Turqi janë mbyllur qendrat e votimit, pasi qytetarët votuan për të zgjedhur kryetarët e rinj në komunat në mbarë vendin.

"Procesi i votimit përfundoi pa ndonjë problem, me përjashtim të disa incidenteve", tha për gazetarët Ahmet Yener, kreu i Bordit Suprem Zgjedhor.

Fokusi kryesor i zgjedhjeve ishte në përpjekjet e presidentit Recep Tayyip Erdogan për të marrë udhëheqjen e Stambollit nga rivali i tij, Ekrem Imamoglu, i cili synon të rivendosë opozitën si një forcë politike, pas humbjes së hidhur në zgjedhjet e vitit të kaluar.

Kryetari i Stambollit, Ekrem Imamoglu, kishte mposhtur Erdoganin dhe partinë e tij AKP, në zgjedhjet lokale të vitit 2019. Humbja e Stambollit ishte goditja më e madhe për udhëheqësin turk dhe partinë e tij pas dy dekadash në pushtet. Por, Erdogan u kundërpërgjigj më 2023, duke u rizgjedhur në postin e presidentit dhe partia e tij duke marrë shumicën në Parlament.

Rezultatet e së dielës mund të përforcojnë kontrollin që Erdogan ka ndaj Turqisë – shtet anëtar të NATO-s – ose të sinjalizojnë një ndryshim në skenën politike. Një fitore e Imamoglut mund të shihet si ushqim ndaj pritshmërive që ai të bëhet një udhëheqës kombëtar në të ardhmen.

Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 në lindje të Turqisë, ndërkaq në 8:00 në pjesën tjetër të vendit. Në këto zgjedhje kishin të drejtë vote mbi 61 milionë persona. Rezultatet e para pritet të dalin mbrëmjen e së dielës.

Në Stamboll, qytet që i jep shtytje ekonomisë turke dhe ka 16 milionë banorë, sondazhet sugjeruan një garë të ngushtë mes Imamoglut dhe kandidatit të partisë së Erdoganit, Murat Kurum. Kurum në të kaluarën ka mbajtur post ministror.

SHIKONI EDHE: Stambolli - një histori nëpër fotografi

Rezultatet ka gjasa të formësohen pjesërisht nga problemet ekonomike të nxituara nga inflacioni, që ka arritur gati 70 për qind, dhe nga votuesit kurdë dhe islamikë të cilët kërkojnë një ndryshim politik.

Përderisa çmimi kryesor për Erdoganin është Stambolli, ai po ashtu po synon që të rimarrë kontrollin e kryeqytetit, Ankarasë. Të dy qytetet u fituan nga opozita më 2019, pasi ishin udhëhequr nga AKP dhe paraardhësve të tij islamikë në 25 vjetët e kaluar.

Mundësitë e fitores për Erdoganin janë rritur për shkak të shkatërrimit të aleancës opozitare që ai mposhti në zgjedhjet e vitit të kaluar, edhe pse Imamoglu ende kërkon vota përtej partisë së tij, Partisë Popullore Republikane, që është subjekti kryesor opozitar.

SHIKONI EDHE: Gjërat që duhet t’i dini për zgjedhjet lokale turke, që do t’ia matin popullaritetin Erdoganit

Votuesit nga partia kryesore prokure ishin kyçë në suksesin e vitit 2019. Partia e kurdëve, DEM, këtë radhë ka kandidatin e vet në Stamboll, por shumë kurdë pritet që të mbështesin sërish për Imamoglun.

Po ashtu, rritja e mbështetjes për Partinë Islamike të Mirëqenies së Re nuk është në favorin e Erdoganit. Kjo parti ka qëndrim të ashpër Izraelit në konfliktin në Gazë, por edhe pakënaqësi të mëdha sesi partia e Erdoganit ka menaxhuar me ekonominë e shtetit.

Në këto zgjedhje, votuesit në Turqi zgjedhin kryetarët e rinj në 81 provincat e vendit, si dhe anëtarët e Këshillave të provincave dhe zyrtarë të tjerë lokalë.